Shkup, 12 maj – Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) me kumtesë me shkrim dhe mesazh drejtuar maturantëve dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës njoftoi se e pezullon grevën.
“Masat dhe presionet e dhunshme të ministrit Shaqiri duke tentuar të vendosë persona të jashtëm në procesin e maturës shtetërore – proces i cili është me shkallë të lartë të fshehtësisë, do ta vë në pikëpyetje vlefshmërinë dhe rezultatet e maturës. Të punësuarit në Qendrën Shtetërore të Provimeve, si ekspertë të fushës dhe persona me integritet të lartë dhe ndjenjë të përgjegjësisë shoqërore, vendosën të shtyjnë luftën për të drejtat e tyre për jetë dinjitoze në interes të së ardhmes sonë. Me këtë njoftim greva është pezulluar!, citon OSQSHP, në mesazhin për maturantët.
Në mesazhin drejtuar ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, nga ana tjetër, theksojnë se të gjitha përpjekjet e tij të mëparshme për zgjidhjen e problemit, e me këtë edhe premtimet që u kanë bërë maturantëve në media, janë në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për procedurat e fshehtësisë së përgatitjes, shtypjes, shpërndarjes, ruajtjes dhe vlerësimit të materialit të provimit, miratuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës nga 31.3.2014.
“Me përpjekjen tuaj të realizoni maturë pa përfshirjen e të punësuarve në QSHP, Ju do të kishit qenë ai që do të kishit dëmtuar maturantët!, i thonë ministrit Shaqiri nga Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve.
Sindikata e QSHP-së e filloi grevën më 25 prill me kërkesë për paga më të larta për 29-të të punësuar dhe pëlqim për marrëveshjen e tyre kolektive. Sindikata i ndërpreu të gjitha proceset për të cilat QSHP është kompetente, ndër të cilat edhe provimi i maturës shtetërore që duhet të fillojë më 27 maj.




