Drenica u largua me një pikë nga Malisheva, në sfidën që u luajt në kuadër të javës së 34-të në BKT Superligën e Kosovës.
Ndeshja përfundoi pa gola, duke i lënë të skuadrat në luftë të nxehtë për barazh.
Pas ndeshjes, trajneri Tahir Lushtaku ka thënë se fusha me bari sintetik në stadiumin “Liman Gegaj:, u pamundësoi të shfaqnin lojën e tyre.
“Ndeshjen ashtu siç e kishim përgatitur, e kemi luajtur në bazë të kundërshtarit që e kemi. Ndoshta fusha në disa situata na ka penalizuar, sepse për Malishevën, kjo fushë është në interes të tyre”, ka deklaruar fillimisht trajneri i Drenicës për Art Sport.
“Këtu i kryejnë stërvitjet dhe ndeshjet. Jam i kënaqur me mënyrën si e kemi nisur ndeshjen, djemtë kanë dhënë gjithçka nga vetja, në të gjitha aspektet. Kemi pasur disa raste, por në këto ndeshje, presioni është te lojtarët”
“Ju kam thënë që ta marrin ndeshjen me sportivitet dhe të mos i ikim stilit tonë të lojës. Na mungoi vetëm goli. Është dashur të kemi guxim dhe të jemi më agresiv”.
“Por, Malishevën e përgëzoj sepse ka bërë paraqitje të mirë”, është shprehur Lushtaku.
Malisheva vazhdon luftën për t’i ikur barazhit dhe gjendet në vendin e shtatë me 44 pikë, aq sa ka edhe Drenica që është në të tetin. /Telegrafi/