Shkup, 28 shkurt – Menduh Thaçi nga PDSH në ClickPlus në TV21 tha se Perëndimi po reagon më ashpër se në 2014 ndaj Moskës, por që sipas tij presidenti rus Vlladimir Putin nuk do të ndalet deri sa Perëndimi nuk ndërmerr hapa më të ashpra ndaj Moskës.
“Unë bëj pjesë tek njerëzit që mendoj se Putini nuk do të ndalet pa u bërë reagimi i drejtpërdrejtë ushtarak. Ka forma të tjera të reagimit”, tha mes tjerash Thaçi.
Mëtej Thaçi tha se shpreson se Perëndimi nuk do të jetë më tolerant ndaj Rusisë dhe ndaj siç tha ai “sateliteve të Rusisë si Serbia”, duke shtuar se qëndrimi i Serbisë për mossanksionim ndaj Rusisë dhe njohje të integritetit territorial ndaj Ukrainës nuk është qëndrim neutral.
“I shoh si të paditur një pjesë të analistëve shqiptar që mundohen ta nxjerrin se qëndrimi i Serbisë është neutral, jo nuk është ashtu. Qëndrimi i Serbisë në raport me integritetin territorial të Ukrainës ka me atë që “i djeg bishti dhelprës dhe thotë u dogj i gjithë katuni”, ka të bëj drejtpërdrejt me Kosovë”, tha Thaçi.