Shumica e tregtarëve me pakicë në tregje por edhe markete kanë shitur pemët dhe perimet me çmime më të larta sa i ka përcaktuar Qeveria me vendimet e fundit për ngrirjen e çmimeve.
Në disa tregje dhe markete çmimet kanë qenë thuajse të dyfishuara, në vend që të ulen.
Domatet shiteshin sot nga 130-150 denarë për kg, ndërsa në disa markete thuajse edhe dyfish.
Këto çmime tejet të larta edhe pse Qeveria ka përcaktuar që çmimi të jetë jo më i lartë se 95 denarë. Çmimet e fryra janë edhe për specat, trangujt dhe prodhimet e tjera. Specat shkonin nga 140-200 denarë për kg, edhe pse është vendosur 100 denarë.
Shitësit theksojnë se kot janë këto masa sepse Qeveria duhet ta shoh tregun dhe se si sigurohen e importohen këto produkte.
“Lerëni çka flasin, çfarë të bëjmë me ato çmime kur i sigurojmë shumë shtrenjt”, thekson një tregtar.
Nga Qeveria nuk kanë ndonjë shpjegim lidhur me atë se çka po ndodhë në praktikë dhe si do vendosin rregullat e çmimeve nëpër tregje.