Shkup, 18 maj – Forcat ukrainase kanë shfrytëzuar tashmë raketat me rreze të gjatë “Storm Shadow”, të cilat ia ka dhuruar Britania e Madhe.
Kështu deklaroi ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, duke mos dhënë shumë detaje, raporton skynews.
“Gjithçka që mund të them është se tashmë janë përdorur që kur kemi njoftuar se do t’ia dhurojmë Ukrainës, por nuk do të hyj në detaje të mëtejshme”, tha Wallace para gazetarëve.
Ai tha gjithashtu se sistemet e armëve që i janë dhënë Ukrainës nga aleatët perëndimorë kanë qenë “të fuqishme” dhe “bënë ndryshimin”.
Ministri, i cili po flet në një konferencë shtypi në Londër, nënshkroi më parë një partneritet sigurie me ministrin e mbrojtjes së Norvegjisë për të kundërshtuar kërcënimet nënujore.
Ndryshe, Britania e Madhe është një ndër shtetet që më së shumti e ka ndihmuar Ukrainën, e cila po lufton kundër pushtuesit rus.