Agjencia Zhurnal.mk.

Vall: Askund në botë reformat nuk janë proces pa dhimbje

Shkup, 7 dhjetor – Janë të nevojshëm unitet politik, entuziazëm, vendosmëri dhe forcë për t’i përfunduar proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut, porositi në intervistën për MIA-n shefi i ri i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Vall.

Ambasadori i Misionit të OSBE-së potencoi se viteve të kaluara Maqedonia e Veriut ka realizuar progres drejt arritjes së qëllimeve të veta strategjike nacionale. Ai me vërejtje se askund në botë reformat nuk janë proces i padhimbshëm, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, ndërsa politikanët janë në dilemë të kapitalizojnë nga kjo dhe të arrijnë pikë.

“Kjo gjithashtu nuk është unike për Maqedoninë e Veriut. Duhet ta zgjerojmë perspektivën, t’i shohim dhe t’i kapim mundësitë të cilat janë para nesh. Misioni ynë ka ekspertizë zë pasur për t’i mbështetur përpjekjet e shtetit për të krijuar politika në dobi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të ndërtojë kapacitetet e institucioneve shtetërore dhe grupet e shoqërisë qytetare të zbatojnë politika të tilla. Me padurim pres të punoj ngushtë me liderët e të gjithë spektrit politik me qëllim që të arrihet konsensusi politik i nevojshëm që angazhimet tona të kenë ndikim maksimal pozitiv”, potencon Vall.

Operacioni i parë dhe më i vjetër në terren i OSBE-së, Misioni në Shkup, këtë vit shënon 30 vjet nga prania në Maqedoninë e Veriut, dhe intervistën me Vallin e realizuam në prag të ngjarjes finale të fushatës tre mujore me këtë rast të 30-vjetorit “Së bashku jemi të rëndësishëm”, që u mbajt sot.

I pyetur lidhur me mesazhin e presidentit gjerman Frank Valter Shtajnmaer, të dhënë gjatë vizitës së tij në vend se rruga drejt BE-së vlen dhe hapi tjetër i rëndë, ndërsa janë ndryshimet kushtetuese, si edhe lidhur me atë se sa është real anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 Vall me përgjigje se është e mundur, por nuk lidhet me reformat e zbatuara.

“Ne po ndihmojmë Maqedoninë e Veriut në përpjekjet për reforma në fushat të cilat i theksova më herët. Ne kemi mbështetur shtetin për të arritur shumë që nga themelimi i Misionit tonë 30 vite më parë, por mbetet akoma punë për të bërë. Nën udhëheqjen time, Misioni ynë do të angazhohet akoma më shumë me partnerët dhe përfituesit tanë në mënyrë që të ndihmojmë Maqedoninë e Veriut të arrijë synimet e veta strategjike. A mund Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030? Absolutisht. Kjo kërkon energji, vendosmëri dhe qëndrueshmëri për të përfunduar proceset e nevojshme reformuese. Dhe unitet politik”, potencon Vall në intervistën për MIA-n.

Për kryesimin e ardhshëm, vitin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, Vall potencon se ky është hap i madh dhe shton se fakti që Maqedonia e Veriut nga shfrytëzues i mbështetjes ndërkombëtare arrin deri në udhëheqjen e organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë dëshmon se sa larg ka aritur vendi nga pavarësimi.

Në intervistën për MIA-n, Vall u përqendrua edhe në propozimin aktual për fshirjen e nenit 102 nga Ligji për Shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, si edhe për aktivitetet e Misionit në drejtim të hapjes së diskutimit për definimin e statusit të MIA-s me qëllim të përmirësimit të pavarësisë së saj funksionale dhe qëndrueshmërisë afatgjate.

Në intervistë flet edhe për prioritetet e Misionit gjatë mandatit të tij, për punën e OSBE-së në Ukrainë, për mundësinë që kriza të përhapet edhe në rajon….

Kilian Vall, siç potencohet në biografinë në ueb faqen e Misionit është ekspert i shquar për parandalim dhe menaxhim me kriza me përvojë të pasur në lehtësimin e dialogut, reformave më sektorin e sigurisë dhe ndërtimin e institucioneve me theks të veçantë në Evropën Juglindore. Para se ta marrë funksionin shef i Misionit të OSBE-së në Shkup në nëntor 2022 ka qenë zëvendës-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Vall ka qenë edhe pjesë e ekipit teknik të negociatorëve në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërsa siç thuhet në biografinë e tij, ka pasur edhe karrierë të suksesshme si gazetar, përfshirë këtu edhe si udhëheqës i TV-shout më të njohur gjerman.

Në vazhdim vijon intervista e plotë me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Vall:

Së fundmi e keni marrë detyrën e Shefit të Misionit të OSBE-së në Shkup. Tashmë keni pasur takime me zyrtarë të lartë, të cilët ju informuan për zhvillimet në vend, sfidat, problemet. Cilat janë përshtypjet tuaja të para për situatën në Maqedoninë e Veriut dhe mundësitë që Misioni i OSBE-së të zhvillojë dhe zbatojë më tej aktivitetet e planifikuara?

– Para se të filloj mandatin tim muajin e kaluar, kam vizituar shpesh shtetin tuaj. Për mua, kthimi në Maqedoninë e Veriut dhe në Shkup ishte shumë i këndshëm dhe i njohur, dhe mezi pres të kaloj kohën time këtu.

Në takimet e mia të para, më shumë kam dëgjuar sesa folur, pasi që dua të mësoj se si partnerët tanë e vëzhgojnë situatën në shtet dhe si e vlerësojnë punën e Misionit. Bazuar në atë që dëgjova në këto takime, përshtypja ime e parë është se Misioni i OSBE-së në Shkup gëzon marrëdhënie shumë të mira me të gjithë partnerët nga institucionet shtetërore, gjë që dëshmon për rëndësinë dhe vlerën e Misionit dhe na bënë akoma më të vendosur të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në sferat për të cilat ata kërkojnë mbështetje. Gjatë takimit tim të parë me ministrin e Jashtëm Osmani, unë u angazhova që Misioni të mbështesë Kryesimin e OSBE-së në vijim në çdo mënyrë që mundemi. Kjo është një hap i madh, por fakti që Maqedonia e Veriut ka kaluar nga një konsumator i mbështetjes ndërkombëtare në kryesimin e Organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë, tregon se sa larg ka arritur vendi juaj që nga pavarësia.

Cilat janë aktivitetet prioritare të Misionit të OSBE-së për vitin e ardhshëm?

– Akoma jemi duke i planifikuar aktivitetet tona për vitin e ardhshëm, por mund të flas pak lidhur me fushat kryesore në të cilat do të punojmë. Në aspekt të sigurisë, ne do të fokusohemi në mbështetjen e zhvillimit të punës policore demokratike, duke punuar në përmirësimin e mënyrës se si policia komunikon me publikun, si dhe për të përmrësuar profesionalizmin e policisë për të luftuar krimin modern, përfshirë kërcënimet trans-nacionale siç janë krimet kibernetike, ekstremizmi i dhunshëm dhe trafikimi, qoftë i njerëzve, armëve apo kontrabandës tjetër.

Gjithashtu do të vazhdojmë të mbështesim përmirësimet në sferën e sundimit të ligjit, ku besimi publik në sistemin gjyqësor është shumë i ulët. Misioni do të monitorojë gjykimet, përfshirë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe të mbështesë përpjekjet për implementimin e reformave kryesore për të bërë sistemin e drejtësisë më të drejtë, të paanshëm, të ndjeshëm ndaj gjinisë, efektiv, të përgjegjshëm dhe transparent.

Mbështetja e masave kundër korrupsionit do të jetë me prioritet të lartë për ne. Dhe gjithashtu do të punojmë për të përmirësuar qeverisjen demokratike dhe lirinë e medias.

Ne do të bëjmë gjithashtu shumë punë për të mbështetur përmirësimet në aftësinë e qytetarëve për të gëzuar të drejtat e tyre themelore të njeriut dhe liritë themelore. Për shembull, ne do të vazhdojmë të punojmë në partneritet me partnerët tanë qeveritar dhe jo-qeveritar për të luftuar diskriminimin, krimet e urrejtjes, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, si dhe për të promovuar barazinë gjinore.

Pra, në përgjithësi, do të kemi një gamë të gjerë aktivitetesh, të gjitha të dizajnuara për të na ndihmuar të adresojmë çështjet e rëndësishme për njerëzit e Maqedonisë së Veriut.

Mediat janë një nga fushat ku Misioni i OSBE-së ka qenë aktiv. Ju po vini në krye të Misionit në një kohë kur në fokus është çështja e ndryshimeve në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele, ndryshime këto që do të rezultojnë në ndarjen e mjeteve buxhetore për financimin e fushatave me interes publik. Reagime kishte nga të gjitha shoqatat e lidhura me gazetarinë, duke pretenduar se një masë e tillë do të ringjallë presionet politike mbi politikat editoriale. Cili është pozicioni i Misionit lidhur me këtë çështje?

– Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e medias diskutoi mbi këtë çështje gjatë vizitës së saj në Shkup në fillim të këtij viti. OSBE beson se kanali kryesor për komunikimin e qeverisë me publikun duhet të jetë nëpërmjet mediave publike, siç është transmetuesi nacional publik. Megjithatë, reklamimi qeveritar për fushatat e interesit publik në mediat private mund të ndihmojë në sigurimi e informimit të mirë të publikut ndërkohë që përmirëson qëndrueshmërinë financiare të medias. Për ta bërë këtë dhe për të minimizuar rrezikun nga keqpërdorimi i fondeve publike dhe kapjen e mediave, është jetike që legjislacioni dhe praktikat të jenë transparente, jo-diskriminuese dhe të drejta. Pasi që kjo çështje është shumë e rëndësishme, dhe për shkak se mbartë përfitimet dhe rreziqet potenciale, është thelbësore të përpilohet legjislacioni përkatës në mënyrë përfshirëse dhe transparente, nëpërmjet dialogut të hapur dhe konstruktiv me mediat dhe palët e tjera të interesuara. Kjo gjithashtu do të ndihmojë në krijimin e besimit të publikut në legjislacionin eventual. Nëse autoritetet këtu dëshirojnë, Zyra e Përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias është gjithashtu e gatshme të analizojë përputhshmërinë e projektligjit me angazhimet përkatëse të OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare në fushën e lirisë së medias.

Me aq sa kam njohuri, një nga aktivitet e Misionit për vitin 2023 do të jetë të definojë statusin e agjencisë shtetërore të lajmeve MIA, e cila për momentin është nën kompetencat e qeverisë dhe financimi i saj varet nga ekzekutivi. Gazetaria e lirë në MIA është aktualisht fakt, por në rast se statusi i agjencisë nuk zgjidhet, kjo liri do të varet nga çdo qeveri e ardhshme. Çfarë aktivitetesh janë në proces në këtë drejtim? Gjithashtu, cili është mendimi juaj për mekanizmat e financimit të agjencive shtetërore të lajmeve, të cilat përfaqësojnë kryesuesit në luftën kundër lajmeve të rreme?

– Mediat publike, së bashku me rritjen e transparencës institucionale, janë thelbësore për të mbajtur njerëzit mirë të informuar dhe për të luftuar dezinformimin. Për ta arritur këtë, mediat publike duhet të jenë financiarisht të qëndrueshme, të lira dhe të mbrojtura nga vendimet arbitrare të qeverisë dhe presioni politik në mënyrë për të ruajtur pavarësinë editoriale. Kjo është një temë shumë e afërt për mua pasi kam qenë gazetar për transmetuesin publik të Gjermanisë.

MIA shërben si burimi kryesor i lajmeve në shtet, me mediat online dhe lokale të cilat mbështeten në raportimin e saj mbi çështjet vendase dhe ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit rekomandoi që statusi i MIA-s të rregullohet me legjislacion të veçantë. Si KSHPK ashtu edhe Shoqata e gazetarëve besojnë se strukturat operative të MIA-s duhet të reformohen për ta rritur pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e vet institucionale.

Në përputhje me këto sugjerime, vitin e ardhshëm Misioni ynë do të angazhohet me një masë të gjerë të palëve të interesuara për të diskutuar se si të përmirësohet pavarësia funksionale dhe qëndrueshmëria afatgjate e MIA-s, me qëllim të prodhimit të një raporti vlerësues që do të përfshijë një sërë rekomandimesh përfundimtare.

Në biografinë tuaj shkruan se jeni ekspert për parandalimin dhe menaxhimin e krizave, njohës i mirë i situatave në Evropën juglindore. Paraardhësi juaj, ambasadori Klemens Koja, në intervistën e tij të fundit për MIA tha se ekziston polarizim i lartë politik në shoqërinë maqedonase. Ky polarizimi shpie në bllokada të ecurisë së shtetit në të gjitha fushat, duke rezultuar në mini-kriza të brendshme. Si mund ju, si ekspert në këtë fushë, të ofroni kontributin tuaj?

– Shpresoj se do mund të kontribuojë duke qenë një ndërmjetësues i sinqertë midis të gjithë faktorëve në shoqëri, partner i besuar më mirë të them. Unë jam mysafir në këtë shtet të bukur, pra roli im nuk është të predikoj dhe të ligjëroj, por të angazhohem në dialog. Kjo ngërthen njohjen e sukseseve si dhe reflektimet kritike në fushat ku mungon progresi me synimin për të gjetur zgjidhje.

Në vitet e fundit, shteti ka bërë progres të dukshëm drejt synimeve të veta strategjike. Reformat nuk janë procese të lehta askund në botë, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut. Është joshëse për politikanët që të përfitojnë nga kjo dhe të fitojnë pikë. Kjo gjithashtu nuk është unike vetëm për Maqedoninë e Veriut. Ne duhet ta zgjerojmë perspektivën, t’i shohim dhe kapim mundësitë para nesh. Misioni ynë ka një pasuri të ekspertizës për të përkrahur përpjekjet e shtetit në krijimin e politikave nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe grupeve të shoqërisë civile për të zbatuar politika të tilla. Pres me padurim të punoj për së afërmi me liderët nga i gjithë spektri politik për t’u përpjekur të marrim miratimin politik të nevojshëm që përpjekjet tona të kenë ndikimin maksimal të mundshëm pozitiv.

Duke folur për krizat rajonale, ju punuat si këshilltar për çështje politike në dialogun e ndërmjetësuar nga BE në Kosovë, si pjesë e Shërbimit Evropian për Veprime të Jashtme. Cili është komenti juaj lidhur me zhvillimet e fundit Beograd-Prishtinë dhe trazirat e fundit lidhur me targat e makinave. Marrëveshja u arrit por presidenti serb, Vuçiq tha se nuk është i interesuar për njohje reciproke me Kosovën?

-Tani që jam shpërngulur në Shkup, fokusi im është në zhvillimet këtu dhe se si zhvillimet e jashtme ndikojnë në situatën këtu. Më erdhi mirë kur pash marrëveshjen e fundit, e cila dëshmon se dialogu i lehtësuar nga BE funksionon dhe prodhon rezultate konkrete për të mirën e njerëzve. Marrëveshja gjithashtu ka ulur tensionet, gjë që është e mirë për tërë rajonin, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

Kriza është më e gjerë dhe shqetëson tërë Evropën. Në Ukrainë ka luftë, puna e Misionit të OSBE-së në këtë shtet u vë në pikëpyetje nga Rusia. Si funksionon OSBE në Ukrainë aktualisht?

– Në fillim të këtij viti, Misioni Special për Monitorim në Ukrainë dhe Zyra e Koordinatorit të Projekteve u mbyllën sepse Shtetet pjesëmarrëse nuk arritën konsensus për të vazhduar mandatet e tyre, për shkak të pozicionit të Federatës Ruse. Kështu që, më 3 gusht, Kryesuesi i OSBE-së Rau dhe Sekretarja e Përgjithshme Schmid paralajmëruan program të ri, i cili do të fillojë me implementimin e rreth 25 projekteve për të mirën e popullit të Ukrainës. Në shtator, kur ministri Osmani prezantoi prioritetet e Maqedonisë së Veriut si Kryesuese e OSBE-së vitin e ardhshëm, ai theksoi se “…lufta gërryen themelet e OSBE-së. Ajo bie ndesh me parimet për të cilat jemi dakorduar dhe të cilat i vlerësojmë.” Në atë kohë, dhe përsëri gjatë Këshillit Ministror të OSBE-së në Loxh, Poloni javën e kaluar, ministri theksoi se Ukraina do të jetë prioriteti kryesor i kryesimit vitin e ardhshëm.

Pasiguria është e pranishme, lufta vazhdon. Sa është reale shpërndarja e krizës në Ballkanin Perëndimor, duke konsideruar çështjet e pazgjidhura në rajon – situata në Bosnjë dhe Hercegovinë, mosmarrëveshja Kosovë- Serbi, konflikti Maqedonia e Veriut-Bulgaria – dhe sa këto përdoren në aspekt gjeopolitik ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë?

– Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër – së bashku me të gjitha misionet tona simotra në rajon. Në këtë moment të caktuar kohor, po shohim zhvillime negative kryesisht në dimensionin ekonomik dhe energjetik, ku nivelet e larta të inflacionit dhe veçanërisht çmimet e larta të energjisë kanë ndikuar në standardin e jetesës së shumë njerëzve dhe kanë shkaktuar vështirësi reale. Kjo mund të ndikojë në situatën e sigurisë nëse ky trend vazhdon, që unë nuk e shoh për momentin. Por, gjithsesi, është edhe më e rëndësishme në rrethanat aktuale që vendet e rajonit të shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura të cilat i përmendët, si brenda secilit vend, ashtu edhe mes tyre.

Maqedonia e Veriut do të kryesojë me OSBE-në në vitin 2023, duke marrë presidencën mes zhvillimeve jashtëzakonisht delikate gjeopolitike. Çfarë, sipas jush, duhet të jetë në fokusin e kryesimit?

– Ministri i Jashtëm, dhe kryesuesi i ardhshëm Osmani, tashmë ka shpalosur prioritetet e vendit për vitin e kryesimit. Ato janë me vend dhe nuk kam çfarë tjetër të shtojë. Siç përmenda pak më parë, gjatë takimit tim të parë me Ministrin, premtova se në Misionin tonë do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur suksesin e Kryesimit nga ana e Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Gjerman Frank-Valter Shtajnmaer ishte për vizitë në Maqedoninë e Veriut gjatë javës së kaluar, ku deklaroi se hapi i ardhshëm i vështirë ia vlen rrugës së BE-së – rishikimi i kushtetutës. Edhe nëse i tejkalojmë mosmarrëveshjet e brendshme dhe ato ndryshime kushtetuese miratohen, sa reale është që Maqedonia e Veriut të anëtarësohetnë BE si anëtare e plotë deri në vitin 2030, duke marrë parasysh zhvillimet aktuale gjeopolitike?

– Ne kemi një mandat të veçantë si Mision i OSBE-së në Shkup. Një nga rolet kryesore të Misionit është të mbështesë vendin në përmbushjen e angazhimeve të veta ndaj OSBE-së. Ne po ndihmojmë Maqedoninë e Veriut në përpjekjet për reforma në fushat të cilat i theksova më herët. Ne kemi mbështetur shtetin për të arritur shumë që nga themelimi i Misionit tonë 30 vite më parë, por mbetet akoma punë për të bërë. Nën udhëheqjen time, Misioni ynë do të angazhohet akoma më shumë me partnerët dhe përfituesit tanë në mënyrë që të ndihmojmë Maqedoninë e Veriut të arrijë synimet e veta strategjike. A mund Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030? Absolutisht. Kjo kërkon energji, vendosmëri dhe qëndrueshmëri për të përfunduar proceset e nevojshme reformuese. Dhe unitet politik.

Maqedonia e Veriut është në proces të shqyrtimit (skriningut) bilateral me BE-në, së fundmi në Kapitullin 23. Kemi parë dorëheqjen e kryetares së Këshillit Gjyqësor, pyetjet e ngritura lidhur me zgjedhjen e kreut të Prokurorisë Publike kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, krahas tetë për qind të besimit të qytetarëve në gjyqësorin. Çfarë aktivitetesh planifikon të ndërmarrë Misioni i OSBE-së për të mbështetur reformat në gjyqësor?

– Një gjyqësor që funksionon mirë, i pavarur dhe i paanshëm është thelbësor për çdo shoqëri demokratike. Duke pasur parasysh këtë, Misioni ynë punon zellshëm për të mbështetur reformat në sektorin e drejtësisë. Ne po ndihmojmë në përpilimin e drafteve të reja të Kodit Penal dhe Kodit për Procedurë Penale për të inkorporuar praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat do të mbrojnë më mirë të drejtat e qytetarëve.

Natyrisht, të gjithë e dimë se nuk mjafton krijimi i ligjeve të mira. Ato gjithashtu duhet të zbatohen mirë. Jemi duke mbështetur përpjekjet e vendit për përmirësimin e trajnimit të gjykatësve dhe profesioneve tjera juridike që ata të mund më mirë të administrojnë drejtësinë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Së fundmi, ne filluam të angazhohemi në mbështetje të digjitalizimit të gjyqësorit, e cila do ta bëjë gjyqësorin më transparent dhe do ta lejojë atë të ofrojë shërbime juridike më të shpejta.

Jam i sigurt se shumica e lexuesve tuaj janë të njoftuar me punën e Misionit për monitorimin e gjykimeve të rasteve të rëndësisë nacionale. Ajo që ata mund të mos e dinë, është se në bazë të kësaj pune ne kemi përgatitur disa raporte me rekomandime për të përmirësuar praktikat gjyqësore që kanë sjellë përmirësime konkrete, përfshirë cilësinë e e ekzaminimit të kryqëzuar të dëshmitarëve dhe prezantimin e provave nga ana e prokurorisë para gjyqit.

Misioni është aktiv në fushën e barazisë gjinore dhe fuqizimit të gruas. Këtë intervistë po e zhvillojmë gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Si kontribuon Misioni gjatë këtyre 16 ditëve, por edhe gjatë gjithë vitit?

– Përveç mbështetjes për fushatën e 16 Ditëve të aktivizmit, ne po zhvillojmë një sërë aktivitetesh për të ndihmuar në luftën kundër dhunës me bazë gjinore në Maqedoninë e Veriut.

Një nga sferat në të cilat punojmë është lufta online kundër dhunës me bazë gjinore. Përparimet teknologjike kanë bërë të mundur që autorët e dhunës ndaj grave të kryejnë krimet e tyre nga distanca, siç ndodhi me rastin Dhoma Publike (Javna Soba), në të cilën vetëm dy nga mijëra burra të implikuar u ndoqën penalisht për pornografi me fëmijë. Ne jemi duke avokuar për miratimin e shpejtë të ndryshimeve në Kodin Penal që, për herë të parë, do ta definojë dhunën me bazë gjinore si dhunë ndaj grave për shkak të gjinisë së tyre. Nëse këto ndryshime miratohen, kjo do t’i hapte rrugën vendit për të trajtuar dhunën me bazë gjinore sipas standardeve ndërkombëtare.

Misioni ka punuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme për shumë vite për të forcuar reagimin e policisë ndaj incidenteve të dhunës me bazë gjinore. Këtë vit, për shembull, ne mbështetëm trajnim të specializuar për policinë mbi përkujdesjen për viktimën, sigurimin e të drejtave të viktimave dhe aplikimin e qasjes së hetimit të përqendruar te viktima, si dhe mbledhjen e provave në rastet e dhunës me bazë gjinore. Misioni gjithashtu ka hartuar një Doracak për punonjësit e policisë për parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje dhe me bazë gjinore, si dhe ka punuar me ministritë për Punë të Brendshme dhe të Shëndetësisë dhe UNDP-në për të dizajnuar një proces vlerësimi të rrezikut për të përmirësuar reagimin e policisë ndaj rasteve të tilla. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë asistencë të tillë gjatë vitin 2023.

Ligji për Barazi Gjinore aktualisht është duke u shqyrtuar dhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të ndihmojmë në finalizimin e draftit dhe miratimin sa më të shpejtë. Maqedonia e Veriut është lidere në rajon në atë fushë dhe ka praktika të mira për të shkëmbyer me fqinjët e vet. Pa barazi gjinore nuk do të mund ta eliminojmë dhunën me bazë gjinore.

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky