Shkup, 4 prill – Marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë në nivel shumë më të mirë dhe shumë më të lartë të komunikimit se sa ishin në periudhën para ardhjes së dy qeverive të reja, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Në konferencë për shtyp në Manastir, kryeministri Kovaçevski konfirmoi se janë marrë masa ndaj zyrtarëve maqedonas që dyshohet se punojnë kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore të dy vendeve.
“Marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë në një nivel komunikimi shumë më të mirë dhe shumë më të lartë se sa ishin në periudhën para ardhjes së dy qeverive të reja. Menjëherë vendosëm dialogun me kryeministrin e Bullgarisë, më pas patëm një seancë të përbashkët qeveritare në Sofje ku u formuan grupe dhe filluan punën me rezultate tashmë të dukshme në fusha të ndryshme të rëndësishme për qytetarët, por edhe për subjektet ekonomike, zhvillimin e infrastrukturës, zhvillimin e arsimit, ndërsa është takimi i grupit punues për integrime evropiane. Në seancën e përbashkët të qeverisë kanë marrë pjesë edhe bashkëkryetarët e Komisionit Historik dhe për ta është karakteristikë që punojnë sipas metodologjisë së tyre, pavarësisht nga politikanët dhe grupet e tjera të punës. Kur në atë komision ka qëndrime të përbashkëta, atëherë bashkërisht i shpallin dhe i dërgojnë në qeveri. Për momentin nuk ka asnjë propozim nga Komisioni Historik për dy qeveritë, tha kryeministri Kovaçevski.
Ai shtoi se është thelbësore që komisioni t’i zhvillojë bisedimet në frymë pozitive sepse faktet dhe njohuritë historike duhet të jenë bazë e mirë për ndërtimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje.
I pyetur nga një gazetar për veprimet e disa shërbimeve apo individëve kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe për informacionet e paralajmëruara nga kryeministri bullgar Kiril Petkov, kryeministri Kovaçevski konfirmoi se edhe në vend janë marrë masa.
“Që në ditën e parë kemi pasur një informacion me ministrin e Punëve të Jashtme për atë që ka ndodhur dhe është dorëzuar në shërbimet e sigurisë që kanë të bëjnë me atë çështje. Nuk mund të zbuloj detaje, sepse është informacion i klasifikuar. Kryeministri Kiril Petkov bëri një deklaratë publike se ka njerëz që kanë punuar kundër interesave të tyre (interesave të Bullgarisë), pastaj kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe kundër arritjes së një marrëveshjeje të mundshme. Siç dihet, në Bullgari ka një hetim dhe nuk kam pse të mos i besoj kryeministrit të Bullgarisë, sepse ai e ka thënë shumë transparente në masën që mund të shpallet, sepse është informacion i klasifikuar dhe hetim. Janë ndërmarrë aktivitete për zyrtarët tanë, por detaje tjera nuk mund t’ju them, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp në Manastir./Zhurnal.mk




