Shkup, 16 janar – Serbia vazhdon të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpreh shqetësimin, se një Asociacion, ashtu siç e kërkon Serbia, nënkupton bosnjëzim të Kosovës. Madje, kjo është tema për të cilën kryeministri i Kosovës as që dëshiron të pyetet nga gazetarët se sipas teje është qasje jo korrekte kur bëhet presion mediatik dhe kjo temë e favorshme për Serbinë është më aktuale në Kosovë se në Serbi, mes tjerash ai shton se kur i keni dëgjuar gazetarët në Serbi gjatë konferencave për shtyp të Vuçiq duke e pyetur se kur do ta njeh Kosovën. Por, kjo temë me të vërtetë edhe kur diskutohet duhet të jetë në drejtim të asaj si një çështje e vdekur apo ëndërr e Serbisë që lirshëm mund të barazohet me atë që si e duan Asociacionin ngjashëm e duan edhe kthimin në Kosovë. Prandaj, këto tema janë të vdekura dhe nuk duhet të zhvendoset diskutimi në atë se a duhet apo nuk duhet. Mes tjerash ekziston një presion ndërkombëtar, por nga ana tjetër ka pasur edhe reagime të ndërkombëtarëve që le të bëhet Asociacioni në Kosovë nëse bëhet edhe në Serbi nga komunat e banuara me shqiptarë, shkruan Zhurnal.
Asociacioni dëshirë e Serbisë, kjo dëshirë me Kurtin në krye do të vazhdojë të mbetet dëshirë-
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shumë diplomatë perëndimorë po këmbëngulin që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ata presin që propozimi të dalë në tryezën e bisedimeve. Këtë e bëri të qartë, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet gjatë vizitës së tij në Kosovë. Sipas tij, Asociacioni duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Serpska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marrëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha Derek Chollet.
Chollet është i mendimit, se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke. Chollet vizitoi edhe Beogradin ku takoi Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb u shpreh, se ai pret nga SHBA-ja që ta bind Prishtinën të zbatojë marrëveshjet. “Shpreha pritjen që Shtetet e Bashkuara të njohin përpjekjet e vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon, si dhe të përdorë ndikimin e saj dhe të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë detyrimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara, por edhe të vazhdojë dialogu në frymën e sinqeritetit dhe çiltërsisë, shkëmbimi i propozimeve për zgjidhjen e sfidave të posaçme”, tha Vuçiq.
Nga ana tjetër ka pasur edhe analistë serb që duke fole mbi këtë temë kanë deklaruar çka nëse të njëjtën e kërkojnë edhe shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, dhe Medevegjes. Në fakët cili do të kishte qenë reagimi i ndërkombëtarëve që e luajnë rolin e ndërmjetësimit duke anuar ka njëra palë, cili do të kishte qenë reagimi dhe përgjigja e Serbisë në këtë situatë të cilët po e luajnë rolin e paqe bërësit dhe të pasionuar pas të drejtave dhe lirive?. Janë pyetje përgjigjet e të cilave dihen qartazi.
Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, thotë që Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion një-etnik-
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha gjatë një vizite në Vjenë ku takoi kancelarin Austriak Karl Nahammer, se çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e përjashtuar mundësinë që Asociacioni të jetë njëetnik.
“Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti Marti Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një-etnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje që është hartuar nga Ahtisari dhe Rohan, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, tha Kurti.
Kosova i garanton të drejtat e pakicave, ka theksuar Kurti. “Asociacionet apo institucionet monoetnike nuk janë në frymën e atij plani apo Kushtetutës sonë. Megjithatë, ne ofrojmë garanci dhe të drejtat më të mira dhe më të mëdha për të gjitha pakicat ose komunitetet jo shumicë në Kosovë dhe jam shumë i angazhuar në këtë drejtim. Por, pa nënvlerësuar kushtetutshmërisë e vendit tonë”, tha kryeministri Kurti.
Mes tjerash Kurti as që e preferon të pyetet nga gazetarët për këtë temë sepse sipas tij kjo temë nuk duhet të jetë as diskutim në Kosovë, sepse është e pamundur të ndodhë në realitet sepse kjo krijon Republikë përbrenda Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Çfarë parashihet në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?
Asociacioni parasheh mbledhjen rreth vetes të dhjetë komunave në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Përmes Asociacionit, këto komuna do të përfaqësojnë interesat kolektive të tyre, sidomos në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
Sipas rikonfirmimit të marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për Asociacionin, objektivat kryesorë janë: ai ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare.
Kujtojmë që, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015, tha se kjo marrëveshje e nënshkruar bie ndesh në disa pika me Kushtetutën, po kjo mund të rregullohet përmes ligjeve. Gjatë muajit janar në Kosovë dhe Serbi pritet të qëndrojnë edhe diplomatë tjerë amerikanë e evropianë ku tashmë është paralajmëruar se diskutimet pritet të përqendrohen në propozimin Franko-gjerman për një marrëveshje finale ndërmjet të dyja vendeve Kosovës dhe Serbisë. /Zhurnal.mk




