Agjencia Zhurnal.mk.

Shumë ambasadorë po na bëjnë “horë”, u ka ardhur në maje të hundës nga situata në Gjyqësor!

Shkup, 29 qershor – Ambasadorët e akredituar në Maqedoninë e Veriut thuajse iu ka ardhë në “maje të hundës” nga reformat që kurrsesi nuk po realizohen në gjyqësor. Ditë më parë, Ambasadori Austriak, në vend George Vucas ka bërë një paraqitje publike kërcënuese për gjyqësorin duke theksuar që duhet të ndërrohen gjykatësit dhe prokurorët publik për shkak të veprimeve jo-profesionale dhe ndikimit të mundshëm të jashtëm në një kontest gjyqësor mes një kompanie austriake dhe një kompanie vendase, e cila është në pronësi të kushëririt të ish-kryeministrit Zoran Zaev. Ambasadori në kumtesën publike pretendon se institucionet gjyqësore në vend kanë dështuar të detyrojnë kompaninë në fjalë që të respektojë arbitrazhin dhe të shlyhet pagesa e borxhit. “A e kanë kapur gjyqësorin kompanitë Dena dhe Global? Si pasojë, ambasadori George Vucas në letrën e dërguar para disa ditëve kërkon nga këshilli gjyqësor dhe këshilli i prokurorëve publik ndryshim urgjent të të gjithë gjykatësve jo kompetent dhe prokurorëve në këto raste, shkruan Zhurnal.

Secili presion apo ndikim janë në kundërshtim me pavarësinë e gjyqësorit dhe duhet të paraqiten për veprime të mëtutjeshme,” tha Ambasadori i Austrisë në Maqedoninë e Veriut.
Në të njëjtën linjë ka dalë edhe ambasadori holandez në Maqedoninë e Veriut, Dirk Jan Kop i cili në programin “Diplomacia dhe biznesi” tha se ky vend është dashur para shumë viteve të realizojë reformat, për të cilat kanë marrë miliarda euro nga Bashkimi Evropian.
“Reformat e nevojshme mund të ishin bërë 10-15 vite më parë, por nuk u bënë. Është e padurueshme të flasësh për euroskepticizëm nga ai aspekt, madje është fyese, sepse pas 20-30 vitesh mbështetje për të hyrë në BE, pyetja është ku janë miliardat, ku janë dhe çfarë ndodhi me trajnimet që bëmë? Pse të gjitha rregullat dhe rregulloret e reja nuk zbatohen siç duhet? Është çështje mentaliteti?”, tha Kop.

Ai kujtoi ndihmën që mori vendi nga BE gjatë pandemisë, por edhe krizën ekonomike që ndodhi për shkak të çmimeve të larta të energjisë.
Ai thotë se janë qesharake kritikat se shtetet anëtare marrin më shumë ndihmë financiare për rikuperimin nga kriza ekonomike sesa vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor.
Sipas tij, problemi në Maqedoninë e Veriut është se njerëzit nuk u besojnë më institucioneve dhe ankohen në gjykata, prokurori, në polici.

Për Holandën, kur është fjala për integrimet evropiane të Maqedonisë, shtoi Kopp, gjëja e parë që gjithmonë do të matet është se sa mirë janë realizuar reformat.
“Qëllimi juaj duhet të jetë hyrja në BE dhe kjo mund të ndodhë pas disa vitesh kur të plotësoni kushtet. Dhe nëse nuk e ndryshoni Kushtetutën deri atëherë, atëherë sigurisht që do të duhet ta ndryshoni atë për t’i sjellë të gjitha ndryshimet në kornizën e re ditën që flamuri juaj do të ngrihet pranë flamurit tonë në Bruksel”, tha ambasadori holandez, shkruan Zhurnal.
Ndërkaq, kreu i Delegacionit të BE-së në vend, ambasadori David Geer, nuk komentoi direkt pretendimet në letrën e ambasadorit austriak për dëmin e shkaktuar një kompanie austriake në një proces gjyqësor, por tha se në Maqedoninë e Veriut duhet të krijohen kushte për investime të huaja, në mënyrë që të përfitojë ekonomia e vendit dhe qytetarët.

“BE dhe shtetet anëtare janë shumë të angazhuar në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave në drejtësi. Një nga arsyet për këtë është të sigurohet që këtu të ketë një mjedis atraktiv të biznesit në mënyrë që të keni më shumë investime të huaja direkte në vend”, tha Geer.
Por, pas reagimeve të ashpra të ambasadorëve të huaj duket se disa institucione siç është Këshilli Gjyqësor formoi grupe pune për të kontrolluar dosjet e rastit kundër një kompanie austriake, për të cilën reagoi ambasada austriake.
Por, reagimet e ambasadorëve të huaj nuk duhet të jenë vetëm alarm për institucionet se nuk po funksionon sistemi. Vetë institucionet e shtetit duhet të merren me këto problematika siç është korrupsioni e gjyqësori, sepse janë dy faktorët që po ia nxjerrin “fytyrën e zezë” Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare, shkruan Zhurnal.

Nëse sot ankohet kompania austriake, imagjinoni sa kompani të tjera do të refuzojnë që të investojnë dhe të bashkëpunojnë me kompani të Maqedonisë së Veriut. Nëse, sot ankohet ambasadori holandez, sigurisht e ka me të drejtë kur pyet se ku “avulluan” gjithë ato para, duke pasur parasysh se për këto reforma janë harxhuar para të taksapaguesve të shteteve të Bashkimit Evropian.
Maqedonia e Veriut dhe të gjithë shoqëria duhet ta largojnë nga mendja njëherë e përgjithmonë se çdo reformë është e keqe, sepse krimi dhe korrupsioni u shërbejnë vetëm një pakice. Shumica ballafaqohet me problemet e njëjta nga po këta gjyqtarë të korruptuar, nga funksionarë me diploma false e me biznesmenë që bëhen të pasur me tenderë të manipuluara,./ Zhurnal.

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky