Shkup, 21 dhjetor – Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski është i ftuar sonte në emisionin “Click Plus” në TV21, ku foli edhe për përfundimin e afatit për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër.
Lidhur me këtë, Boçvarski theksoi se janë shfaqur probleme në terren me 11 rrëshqitje të reja përgjatë kësaj autostrade. Boçvarski tha se kontrata ka afat për ekzekutim deri më 31.12.2023, por kjo do të thotë se nëse nuk përfundojnë punët, atëherë duhet të diskutohet se si do të vazhdohet më tutje.
“A do të zgjidhet kontrata, a do të fillojnë negociatat për një kontratë të re, vazhdimin e afatit. Në thelb kjo që po ndodh në terren, kemi 11 rrëshqitje të cilat kanë ndodhur në periudhën e kaluar, këto janë rrëshqitje që nuk janë paraqitur më parë”, komentoi Boçvarski.





 
					 
					 
	
