Shkup, 7 dhjetor – Agjenti i akuzuar për patundshmëri i cili dëmtoi dhjetë qytetarë me mashtrim gjatë shitblerjes së banesave, rast ky që e zbardhi MIA, sot para Gjykatës Themelore Penale – Shkup e pranoi fajin për veprën e kryer penale. Dhjetë personat e dëmtuar në këtë lëndë kërkuan kërkesë dëmshpërblim në shumë të përgjithshme prej 47.000 euro. Një pjesë të parave i akuzuari i ka dëmshpërblyer pas debatit.
“Ndjehem fajtor për veprën që më ngarkohet me propozimin e aktakuzës”, deklaroi i akuzuari, me ç’rast pas përfundimit të debatit, secili nga të dëmtuarit janë dëmshpërblyer me nga 61 500 denarë, duke dëmshpërblyer 10 000 euro, respektivisht, 21 për qind të shumës së përgjithshme që arrin rreth 48 mijë euro.
Nëntë nga të dëmtuarit deklaruan se kërkojnë ndjekje penale për të akuzuarin, derisa njëra ia la Gjykatës që të vendosë për të njëjtin.
Prokurorja Ana Stojkoviq Dimitrovska në fjalët përfundimtare u përqendrua në rrethanat për matjen e llojit dhe lartësisë së sanksionit.
“Padyshim rrethanë vështirësuese që Gjykata duhet ta vlerësojë është gjithsesi fakti se vepra penale është kryer madje dhjetë herë në periudhë relativisht të shkurtër kohore, gjatë kryerjes së cilës janë dëmtuar dhjetë persona të ndryshëm të dëmtuar. Kjo padyshim flet për vetëdijen, paramendimin dhe qëndrueshmërinë e të akuzuarit gjatë kryerjes së veprës penale në disa raste duke dëmtuar qëllimisht dhjetë persona”, tha prokurorja.
Ajo plotësoi se padyshim, si rrethanë e vështirësuar është edhe “guximi i të akuzuarit pas kryerjes së veprës penale kur i ka mashtruar të dëmtuarit për një periudhë të gjatë kohore, duke përmendur justifikime të ndryshme se me lidhjen e kontratës shitblerëse të banesave të caktuara megjithatë do të vjen”.
“Këto rrethana duhet të merren parasysh kur do të matet lloji dhe lartësia e dënimit nga Gjykata”, theksoi prokurorja.
Ajo përmendi edhe sjelljen korrekte të të akuzuarit nga fillimi i procedurës penale, siç u shpreh, “si në Prokurorinë, ashtu edhe në Gjykatën, bashkëpunimi me organet e ndjekjes penale, pranimi nga ai i fajit që rezultoi me përfundimin efikas të procedurës penale, veçanërisht duke marrë parasysh se bëhet fjalë për lëndë voluminoze me dhjetë të dëmtuar dhe fakti që i njëjti nuk e mohon as veprën penale, as shumat që ua ka borxh individualisht të dëmtuarve”.
Prokuroria i bëri thirrje Gjykatës që të përcaktojë dënim të tillë me të cilën të akuzuarit do t’i ndikojë si qortim për veprën e kryer penale, dënim me të cilin do ta kuptojë rëndësinë e asaj që është kryer, dhe, veçanërisht, dënim që do ta largojë të akuzuarin në të ardhmen të shfaqet si autor të veprave të këtilla dhe të tjera penale.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Todor Tasevski, nga Gjykata kërkoi dënim me kusht me të cilin, siç tha konsideron se “do të arrihet qëllimi i dënimit”.
“Duke marrë parasysh faktin se i akuzuari e pranoi veprën për të cilën ngarkohet, i njëjti, gjithashtu nuk është i dënuar deri tani dhe me sjelljen e tij të mirë gjatë gjithë procedurës penale, gjatë matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit e lus gjykatën t’i marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, mes tjerash, edhe vullneti i shprehur sot dhe qëllimi që të dëmtuarit të jenë të dëmshpërblyer me atë që i akuzuari është i gatshëm mjetet në të holla i mban me vete, të njëjtat t’ua dorëzojë të dëmtuarve, kështu që duke marrë parasysh se me gjithë sjelljen e tij jam i bindur se në të ardhmen nuk do të marrë guximin të kryejë vepër të këtillë ose vepër tjetër të ngjashme penale, po edhe me një dënim me kusht me të cilin do të prolongohet sanksioni i shqiptuar, do të arrihet qëllimi i dënimit”, deklaroi mbrojtësi.
I akuzuari në fjalën përmbyllëse shtoi se është i gatshëm sot të dëmshpërblejë shumën prej 10 000 euro, ndërsa në afat prej tre muajve t’i kthejë tërësisht paratë që i ka borxh.
“U kërkoj falje publikisht të dëmtuarve në këtë sallë të gjykatës, këtë do ta kem mësim të mirë se si të veproj në jetë”, deklaroi i akuzuari.
Me dëmshpërblimin e sotëm, me të cilin secili nga të dëmtuarit mori nga 61 500 denarë, njëri nga qytetarët e dëmtuar, të cilit i akuzuari i kishte borxh 60 000 denarë është dëmshpërblyer tërësisht.
Qytetari i dëmtuar që u dëmshpërblye në deklaratën për MIA-n tha se historia nuk përfundon këtu dhe nëse ka nevojë do të vazhdojë të vijë në Gjykatë derisa të dëmshpërblehen në tërësi të gjithë qytetarët.
MIA e zbardhi rastin dhe vazhdimisht kërkonte përgjigje nga kallëzimi për “Mashtrim”, që i ishte dorëzuar Ministrisë së Brendshme më 23 mars të vitit 2021, deri në formimin e lëndës, privimin nga liria të agjentit, si dhe procedurës që do ta ngritë Prokuroria dhe masat e përcaktuara të kujdesit, e deri te Propozimi i aktakuzës që vijoi menjëherë pas stories nga MIA se të dëmtuarit në video deklaratë për median tonë i kanë ndarë dëshmitë e tyre.
Seanca e parë për këtë lëndë ishte caktuar për 1 korrik të këtij viti, me ç’rast i akuzuari nuk u shfaq dhe ajo u prolonguar për 1 shtator. Në seancën që u mbajt më 1 shtator, agjenti i akuzuar për patundshmëri deklaroi se deri më 20 shtator do të dëmshpërblejë një pjesë të shumës, ndërsa deri në fund të tetorit do ta kthejë gjithë shumën prej rreth 48 mijë euro me të cilat ka dëmtuar 10 qytetarë. Në seancën e caktuar për 20 shtator, i akuzuari sërish nuk u shfaq, me çka gjykata i caktoi masën e paraburgimit.
Disa ditë pas debatit të mbajtur në të cilin për shkak të mungesës të akuzuarit i është shqiptuar masa e paraburgimit, në pyetjen e MIA-s deri ku është arrestimi, nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, deklaruan se ai ka dorëzuar dokumentacion mjekësor se ka qenë i penguar për shkaqe shëndetësore të vjen në seancën e caktuar për 20 shtator. Dhjetë ditë pas seancës në të cilën gjykata caktoi masë paraburgimi për agjentin, nga Penalja kërkuan që i akuzuari t’i kompletojë dokumentacionin e dorëzuar paraprakisht për “mungesë të arsyeshme”.
Pas gjithë kësaj, seanca kryesore u caktua për 26 nëntor të vitit 2021, mirëpo, e njëjta nuk u mbajt për shkak të mungesës për shkak të pushimit mjekësor të gjykatëses dhe është ricaktuar për ditën e sotme, 7 dhjetor.
I akuzuari, banor 41 vjeçar i Shkupit, ngarkohet për veprën penale “mashtrim”, meqë, sipas aktakuzës, ai ka sjellë dhe mbajtur në mashtrim dhjetë persona – të dëmtuar, të cilëve në mënyrë të rrejshme u ka paraqitur fakte se si agjent i patundshmërive në Agjencinë e tij është i autorizuar në emër të pronarëve të banesave t’ua shesë banesat e tyre personave të tjerë. I akuzuari i ka nxjerr në shpallje banesat dhe i ka treguar për shitje, me çka i ka shtyrë të dëmtuarit të dëmtojnë pasurinë e tyre me vlerë më të madhe.
Procesi i kontraktimit për blerjen e banesave ka zgjatur deri në momentin kur marrëveshja e shitblerjes është dashur të dërgohet në noter, me ç’rast agjenti, atëherë, është shfaqur me justifikime të ndryshme se nuk është në gjendje të takohet me blerësit, për shkak të pushimit mjekësor, mungesës së pronarit, dhe ngjashëm, pas çka blerësit kanë kuptuar se bëhet fjalë për mashtrim dhe menjëherë e kanë denoncuar rastin.
Përfaqësues i aktakuzës është prokurorja Ana Stojkoviq Dimitrovska, ndërsa rastin e udhëheqë gjykatësja Aleksandra Risteska. Shpallja e aktgjykimit është caktuar për 14 dhjetor të vitit 2021.




