Shkup, 21 janar – Depozitat e përgjithshme në dhjetor të vitit të kaluar janë rritur për 7,8 për qind në bazë vjetore, në kushtet e rritjes në të dy sektorët, më e theksuar në sektorin e amvisërive, ndërsa gjithsej kreditë janë rritur për 8,3 për qind në kushtet e rritjes së kreditimit të dy sektorëve, me kontribut më të madh nga sektori i korporatave, njofton Banka Popullore (BP).
“Në dhjetor të vitit 2021, në përputhje me dinamikën sezonale, oferta monetare (agregati monetar M3 1,2) shënoi rritje mujore prej 2,9 për qind, si rezultat i rritjes së parave depozituese, depozitave afatshkurtra dhe parave në qarkullim, ndërkohë që depozitat afatgjate me afat deri në dy vjet kanë rënë. krahasuar me dhjetorin e një viti më parë, oferta monetare u rrit për 8,8 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes së depozitave afatshkurtra dhe parave depozituese, në kushtet e rritjes më të ulët të parasë së gatshme në qarkullim dhe rënies së depozitave afatgjata deri në dy vjet”, kumtoi Banka Popullore.
Depozitat e përgjithshme, nga ana tjetër janë rritur për 2,7 për qind në bazë mujore, me një rritje vjetore prej 7,8 për qind.
Ata theksojnë se gjithsej depozitat e sektorit të korporatave në muajin dhjetor janë më të larta për 3,9 për qind në bazë mujore.
Depozitat e përgjithshme të amvisërive, siç theksojnë ata, është rritur për 2,2 për qind në bazë mujore.
Në dhjetor të vitit 2021, shtuan ata, kredia konsumatore dhe ajo për banesa si kategoritë më të zakonshme shënuan rritje mujore prej 0,9 dhe 1,4 për qind, me rritje vjetore prej 7,2 dhe 15,5 për qind.




