Shkup, 21 janar – Viti vijues 2022 do të jetë vit rekord në pjesën e investimeve kapitale dhe do të kemi bum ekonomik nëse në kuartalin e parë tejkalohet kriza energjetike dhe ekonomike, porositi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Propozimi i ministrit të Financave, Fatmir Besimi është 14,5 për qind e Buxhetit të përdoren për investime kapitale dhe prandaj me siguri do të jetë vit i bumit ekonomik nëse në kuartalin e parë tejkalohet kriza energjetike dhe ekonomike”, tha Bekteshi në përgjigjen në pyetjen e gazetarëve në kuadër të vizitës së sotme në komunën e Sarajit.
Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, nga ana tjetër, potencoi se si Qeveri dhe Ministri e Transportit dhe Lidhjeve janë të kënaqur prej investimeve që janë realizuar në vitin 2021, duke i pasur parasysh sfidat serioze me të cilat jemi përballur siç është pandemia e cila ndikoi edhe në investimet kapitale.
“Si Ministri e Transportit e Lidhjeve kemi pasur realizim të mbi 64 për qind të investimeve kapitale gjegjësisht 92 për qind të buxhetit kryesor të Ministrisë. Pa dallim sfidave do të bëjmë përpjekje serioze si Qeveri dhe Ministri të realizojmë sa më shumë investime kapitale”, tha Rexhepi.
Si Ministri, theksoi, kemi pasur investime serioze në infrastrukturë lidhur me projektet e kanalizimit fekal, rrjetet e ujësjellësit dhe infrastrukturën rrugore të cilët janë financuar dhe bashkëfinancuar nga Ministria përmes programeve të ndryshme.




