Shkup, 5 prill – Në cilësinë e kryetarit të partisë “Lëvizja BESA” dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me zëvendës-kryetarin Arjanit Hoxha sot ishin në vizitë në ambasadën e Ukrainës në Shkup ku realizuan takim me ambasadoren Natalia Zadorozhni për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin me popullin e Ukrainës.
Po ashtu kryetari Kasami, si kryetar i Komunës së Tetovës i dorëzoi edhe një letër drejtuar kryetarit të qytetit të Kievit, Vitali Kliçko, ku përmes letrës solidarizuese Kasami shpreh solidaritetin e plotë me qytetarët e Kievit.
Lëvizja BESA ofroi mbështetje pa rezervë të perspektivës evropiane të Ukrainës dhe dënoi agresionin rus ndaj Ukrainës, si dhe veprimin kriminal të trupave ruse në territorin e Ukrainës, veçanërisht në qytetin e Buças, ku ishin masakruar qytetarë të pafajshëm.
Lideri i “Lëvizjes BESA” shprehu besimin se Ukraina do të fitojë dhe do ta rindërtojë vendin e saj me ndihmën e gjithë partnerëve perëndimorë.
Në takim të gjithë u dakorduan për vazhdimin intensiv të komunikimit dhe mbështetjen e ndërsjellë./Zhurnal.mk




