Shkup, 27 janar – Vizioni i Francës, si kryesuese me BE-në, për rajonin e Ballkanit Perëndimor përmban perspektiva të qarta evropiane, nënkupton që të investojmë në rajon dhe të kemi ambicie të përbashkët në dekadat e ardhshme, deklaroi ambasadori francez në vend Siril Bomgartner, në tryezën e sotme të rrumbullakët të ambasadorëve “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor drejtë BE-së: rrëfim i gjatë, i (pa) përfunduar – Qëndrueshmëria e kursit të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut”, në organizim të Këshillit të Ambasadorëve.
Sa i përket kontestit të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, Bomgartner tha se Parisi mbetet i mobilizuar dhe do të tentojë të ndihmojë për lehtësimin e procesit me qëllim të fillimit sa më të shpejtë të bisedimeve me BE-në. Në kontekst të integrimeve evropiane ai foli edhe se në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në kuadër të presidencës franceze, të cilën e paralajmëroi presidenti i Francës, Emanual Makron për qershor të këtij viti.
“Konferenca që është e paraparë në muajin qershor nuk do të jetë konferencë specifike e dedikuar vetëm për zgjerimin, por kjo do të jetë tema qendrore dhe përveç konferencës për këtë temë specifike, Franca tashmë ka pasur në disa raste, raste edhe atë në nivelin më të lartë që ta dëshmojë përkushtimin e saj dhe angazhimin për avancimin e perspektivës evropiane të këtij rajoni, ndërsa veçanërësiht për kandidaturën e Maqedonisë së Veriut dhe duam të vazhdojmë të jemi të mobilizuar në mënyrë aktive. Ekziston ai kontest dhe ato diskutime të cilat zhvillohen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilat janë premtuese dhe qëllimi i presidencës franceze me Këshillin, në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet e tjera evropiane, që të bëjmë përpjekje që në momentin adekuat ta lehtësojmë atë proces, që ta fitojmë atë që është qëllimi ynë kryesor, e ai është hapja sa më shpejtë që është e mundur e bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Bomgartner.
Ai sqaroi se sa i përket vetë konferencës kornizat ende nuk janë definuar, duke theksuar se ende kërkohet formati më adekuat për bisedë, si dhe përmbajtja e cila do të jetë më e dobishme.
“Ekziston vullneti francez që të jemi pjesë e një vizioni global në atë ekip evropian në Bruksel. Pas presidencës franceze me BE-në do të kryesojë Çekia dhe ajo presidencë ka për qëllim që të organizojë gjithashtu samit BE-Ballkani Perëndimor. Do të tentojmë në mesin e atyre dy ngjarjeve që të koordinohemi në mënyrë të përkryer. Presidenti francez foli për konferencën, jo për samit për Ballkanin Perëndimor. Tema e konferencës është temë për të cilën përgatitemi që nga tani”, tha ambasadori francez.
Temë kyçe, të cilës i jep rëndësi Parisi, shtoi ai, është rëndësia e integrimit rajonal, diçka që është plotësisht koherente me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor, të cilën vetë presidenti i Francës e dëshiroi dhe e cila gjerësisht korrespondon me qasjen e përgjithshme të BE-së për këtë pjesë të botës.
“Ai qëllim është shumë i rëndësishëm sepse ka dy punë. E para, vërejmë se ekziston mungesë e lidhjes në zonë dhe nuk duhet të japim shembuj konkretë, por fakti që promovohet integrimi evropian rajonal, nënkupton që vendet më ngushtë të bashkëpunojnë në rajon, ndërsa me këtë rritet stabilitetit rajonal. Puna e dytë e rëndësishme është se integrimi rajonal nënkupton që të zbatojmë projekte të përbashkëta, me financa të caktuara të cilat duhet të zbatohen me rregulla të përcaktuara qartë, sipas normave evropiane. Për këtë integrimi rajonal është diçka me të cilën përshpejtohet adaptimi drejtë rregullave të Unionit. Pikërisht në atë perspektivë duhet t’i realizojmë iniciativat rajonale që nuk nënkupton kurrfarë zëvendësimi për procesin e anëtarësimit”, porositi Bomgartner.
Pikë e rëndësishme, theksoi ambasadori është edhe nevoja për përforcimin e stabilitetit strategjik të këtij rajoni. Në këtë pjesë, njoftoi ai tashmë po zbatohen aktivitete specifike të cilat janë pjesë e planit ambicioz në suaza evropiane.





 
					 
					 
	
