Shkup, 8 prill – Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot në mbledhjen e 22-të diskutoi për Propozim-ligjin për detyrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me kredi tek Banka ndërkombëtare për ripërtëritje dhe zhvillim – Banka botërore sipas Marrëveshjes për kredi për financim shtesë të projektit për ndërlidhje të rrugëve lokale, me procedurë të shkurtuar dhe vendosi të dërgohet për procedurë të mëtutjeshme në Kuvend.
Kryetari i Komisionit dhe deputet i VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanovski për MIA-n deklaroi se pohimet e deputetëve të LSDM-së se opozita e ka frenuar sjelljen e këtij ligji janë të pasakta.
“Ligji ka hyrë në procedurë kuvendore, përkatësisht i është parashtruar propozuesit – Qeverisë më 22 mars të vitit 2021. Meqë është propozuar me procedurë të shkurtuar, së pari Kuvendi në mbledhjen e mbajtur më 21 prill të vitit 2021, do të thotë një muaj më vonë, e konfirmoi nevojën e miratimit të ligjit me procedurë të shkurtuar. Është thirr mbledhje e Komisionit për financim dhe buxhet, në të cilën kryetar është Timço Mucunksi, më 6 maj 2021 me pesë pika në rend dite, ndërsa është diskutuar edhe rreth pikave të tjera si subvencionimi i shujtës studentore, kredisë për ndihmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme…”, deklaroi Stojanoski.
Informoi se më pas në procedurë kuvendore hyri ribalanci i Buxhetit për vitin 2021, për të cilin u diskutua tërë muajin, tërë korrikun sepse sipas Rregullores së Kuvendit 10 ditë zgjatë debati në komision, ndërsa pesë ditë zgjatë debati në mbledhje plenare. Përkujtoi se në gusht Kuvendi ishte në pushim kolektiv dhe nuk mbajti mbledhje, me vendim të Kryetarit të Kuvendit. Pas pushimit vjetor, si tha, pasoi shtatori apo periudha parazgjedhore në të cilën një pjesë e madhe e deputetëve ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale,, por edhe është diskutabile mundësia për kredi në periudhën parazgjedhore në pajtim me rregullativa të caktuara.
“Në nëntor i ndërpritet mandati kryetarit të atëhershëm të Komisionit për financim dhe buxhet Timço Mucunksi, i cili u zgjodh kryetar i Komunës Aerdrom. Nga ai moment mbledhjet i thërriste kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sepse nuk ishte zgjedhur kryetari i komisionit për financim dhe buxhet. Pothuajse gjashtë muaj mbledhjet e komisionit dhe rendin e ditës i thërriste dhe mbante Talat Xhaferi, Kryetari i komisionit u zgjodh në mbledhje plenare më 5 prill 2022, ndërsa pika e njejtë është hapur në mbledhje më 8 prill 2022”, deklaroi Stojanoski. Theksoi se kronologjia e ngjarjeve është e saktë dhe mund të kontrollohen në eub-faqen e Kuvendit.
Sipas tij, LSDM dhe BDI për shkak të problemeve në vetë koalicionin, po e frenojnë punën e Kuvendit.
Deputeti Darko Kaevski nga LSDM, ndërkaq, kumtoi se po shihet dyftyrësia e VMRO-DPMNE-së në vepër dhe se disa vendime të caktuara ligjore janë lënë në pritje sepse, siç tha, kolegët nga VMRO-DPMNE bllokojnë.
Sipas tij, deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk deshën të ndërtohen 450 kilometra rrugë lokale sepse ato rrugë lokale paraprakisht do t’i ndërtonin kryetarët e komunave të LSDM-së. Akuzoi se po frenohen edhe ligje të tjera, si Ligji për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionistë… Potencoi se LSDM nuk ka ndër mend ta frenojë këtë ligj po përkundrazi plotësisht do të kontribuojnë dhe do të votojnë për të.
Anëtarët e Komisionit për financim dhe buxhet sot e mbajtën edhe mbledhjen e 16-të në të cilën konstatuan se Propozim-ligji për shlyerje të normave të interesit dhe riprogramimit të borxheve dhe shpenzimeve të ndërmarrjeve publike, me procedurë të shkurtuar është tërhequr nga propozuesi./Zhurnal.mk




