Agjencia Zhurnal.mk.

Dimovski: E diela ditë jopune është realitet, besoj se kjo zgjidhje ligjore do të mbetet

Shkup, 23 janar – E diela ditë jopune është realitet dhe punëtorët tashmë i gëzojnë përfitimet nga kjo zgjidhje ligjore. Iniciativa e Odës Ekonomike ishte një lloj befasie për ne, por personalisht konsideroj se e diela si zgjidhje ligjore do të mbetet ditë jopune për 92 për qind të punëtorëve, shprehet në intervistën për MIA-n, kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski.

Ai është i kënaqur nga zbatimi i kësaj zgjidhjeje ligjore, ndërsa për të gjitha parregullsitë e konstatuara thotë se kanë dorëzuar kallëzime në Inspektoratin e punës dhe në Inspektoratin e tregut për të cilat tashmë janë shqiptuar sanksionet e para. Janë konstatuar parregullsi në marketet dhe furrat e bukës, e sipas sindikatës, kontestuese janë edhe bastoret sportive, kazinotë dhe objektet e gastronomisë, si kafeteritë ku nuk shërbehet ushqim.

“Kudo ku kemi ankesa kemi denoncuar në Inspektoratin shtetëror të punës dhe në Inspektoratin e tregut dhe siç e shihni tashmë ka rezultate. Katër punëdhënës që kanë shkelur ligjin tashmë janë dënuar me gjobë dhe janë mbyllur 15 ditë. Përveç kësaj, aty ku kemi konsideruar, siç janë bastoret sportive dhe vendet ku luhet kumari që nuk parashikohen në aktivitetet që mund të punojnë të dielave, kemi dërguar parashtresa në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe në Ministrinë e Financave meqë është evidente se këtyre veprimtarive , dikush me mendim, e jo me ligj, u ka lejuar të punojnë. Kjo është e papranueshme për ne meqë mendimi nuk mund të derogojë ligjin, ndërsa ligji është i qartë se të gjitha ato aktivitete që nuk janë të përcaktuara për punë të dielën, nuk mund të punojnë. E kjo është duke na ndodhur me bastoret sportive dhe vendet ku luhet kumari”, bën të ditur Dimovski.

Si hap të radhës, Dimovski paralajmëron se gjatë muajit shkurt sindikata do të fillojë fushatën në të cilën çdo muaj do të përfshihen nga dy veprimtari në të cilat do të analizohet nëse me të vërtetë respektohet pagesa e mëditjes për punën e së dielës.

Në intervistën e plotë të publikuar më poshtë, Dimovski flet edhe për marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik, që si propozim tekst u është dorëzuar institucioneve kompetente vitin e kaluar, e me të cilin parashikohet pagesë e regresit për pushim vjetor për sektorin publik në lartësi prej 30 deri në 100 për qind në varësi të mundësive të ndërmarrjes apo institucionit.

Intervistën e transmetojmë të plotë:

Z. Dimovski, Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut ka parashtruar iniciativë para Gjykatës Kushtetuese për të dielën, ditë jopune. Si sindikatë keni paralajmëruar protesta nëse pranohet një iniciativë e këtillë. Pardje në takimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski me kryetarin e Odës Ekonomike Branko Azeski është dhënë premtim se më 18 shkurt Oda do ta tërheqë iniciativën para Gjykatës Kushtetuese dhe se në periudhën e ardhshme do të ketë zgjidhje gjithëpërfshirëse për sfidat rreth zbatimit të ligjit?

– E diela ditë jopune është realitet dhe tashmë po i gëzojmë ato beneficione dhe jemi të kënaqur nga gjithë kjo meqë punëtori maqedonas me të vërtetë ka pasur shumë nevojë të dijë se duhet të pushojë të dielën dhe se askush nuk mund ta angazhojë.

E, të gjithë ata që do të angazhohen në përputhje me veprimtaritë e përcaktuara në Ligjin për marrëdhëniet e punës, do të kenë rritje minimale të mëditjes për 50 për qind.

Ajo që ndodhi për ne ishte një lloj befasie, por sigurisht që nuk do të heshtim për atë që po ndërmerr Oda Ekonomike. Para së gjithash, ne besojmë në gjykatësit kushtetues meqë edhe ata janë punëtorë dhe gëzojnë beneficione në përputhje me Ligjin për marrëdhënie të punës dhe marrëveshjet kolektive dhe personalisht unë konsideroj se ata nuk do ta lejojnë këtë dhe e diela si ditë jopune do të mbetet për 92 për qind të punëtorëve. E kam paralajmëruar edhe më parë se nëse ndodh kjo do të organizohemi dhe do të protestojmë para Gjykatës Kushtetuese, e sigurisht që do të parashtrojmë ankesë meqë edhe ne kemi argumente.

A ka konstatuar Sindikata deri tani raste kur shkelet kjo zgjidhje ligjore?

– Kudo që kemi ankesa kemi denoncuar në Inspektoratin shtetëror të punës dhe në Inspektoratin e tregut dhe siç e shihni tashmë ka rezultate. Katër punëdhënës që kanë shkelur ligjin tashmë janë dënuar me gjobë dhe mbullu 15 ditë. Përveç kësaj, aty ku kemi konsideruar, siç janë bastoret sportive dhe vendet ku luhet kumari që nuk parashikohen në aktivitetet që mund të punojnë të dielave, kemi dërguar parashtresa në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe në Ministrinë e Financave meqë është evidente se këtyre veprimtarive , dikush me mendim, e jo me ligj, u ka lejuar të punojnë. Kjo është e papranueshme për ne meqë mendimi nuk mund të derogojë ligjin, ndërsa ligji është i qartë se të gjitha ato aktivitete që nuk janë të përcaktuara për punë të dielën, nuk mund të punojnë. E kjo është duke na ndodhur me bastoret sportive dhe vendet ku luhet kumari.

Përveç tyre, a ka veprimtari të tjera ku janë vërejtur parregullsi?

– Po, kemi denoncuar edhe market, furra buke dhe kafeteri të caktuara meqë ligji është i qartë. Sipas ligjit për tregti mund të punojnë vetëm ato objekte gastronome ku përgatitet ushqim. Momentalisht, këto janë ankesat dhe atje kemi ndërhyrë si sindikatë.

Si hap i radhës në shkurt ne do të marrim nga dy veprimtari çdo muaj dhe do të bëjmë një fushatë për të parë nëse me të vërtetë paguhet atje ku punohet në përputhje me Ligjin e marrëdhënieve të punës 50 për qind në veprimtaritë e përfshira me Ligjin e marrëdhënieve të punës, ndërsa 100 për qind në përputhje me Ligjin për tregti

Një periudhë më të gjatë kërkoni rritje të pagës minimale. Të hënën keni caktuar mbledhje të Qeverisë. A prisni që të pranohet kjo kërkesë e juaja dhe çka nëse nuk pranohet?

– Nuk presim ne, pret punëtori që të rritet paga minimale meqë shporta e konsumatorit është ngjitur në 35.040 denarë. Nëse dy punëtorë nga familja minimalisht nuk mund ta mbulojnë shportën e konsumatorit, u mungojnë 4600 denarë plus para. Punëtori e pret këtë në përputhje me goditjet e çmimeve, krizën energjetike, rritjen e energjisë termike. Nevoja është reale dhe ekzistenciale për ne

punëtorët. Nuk kemi shpresë tjetër veçse të na rriten pagat dhe të mbijetojmë në muajin rrjedhës.

Argumentet janë në anën tonë dhe nuk shoh arsye pse të mos pranohet. Nëse kjo nuk pranohet, si LSM, që numëron 15 degë të sindikatës, do të njoftojmë për atë që është biseduar dhe nëse nuk pranohen kërkesat, do të dalim në rrugë. Kjo është e drejta jonë legjitime dhe do ta bllokojmë Kuvendin dhe Qeverinë derisa paga minimale të jetë 60 për qind e mesatares ose siç themi ne 18.000 denarë dhe një rritje shkallore të të gjitha pagave tjera.

Ministri i Ekonomisë deklaroi se paga minimale do të rritet, por rritja do të jetë në tremujorin e dytë të vitit. Qëndrimi juaj?

– Ligji është i qartë. Çdo muaj mars, harmonizohet paga minimale sipas tri kritereve – rritje të pagës mesatare, rritje të kostos së jetesës dhe rritje të PBB-së. Ajo që e ka thënë ministri i Ekonomisë, është e papranueshme për ne dhe nuk ka kuptim sepse në mars edhe nëse nuk duam duhet të harmonizohet paga minimale, e në përputhje me pandeminë e kovidit dhe krizës ekonomike konsiderojmë se 18.000 denarë është zgjidhje e pranueshme për punëtorët që marrin pagë minimale, ndërsa janë mbi 110 mijë që të mund të mbijetojnë muajin rrjedhës.

Si të arrihet rritje shkallore e pagave?

– Nuk respektohen ligjet dhe marrëveshjet kolektive, e pse është kjo kështu, do të pyesni punëdhënësit dhe Qeverinë. Në nenin 8 të Ligjit për pagën minimale thuhet se në përputhje me rritjen e pagës minimale harmonizohen pagat e tjera, ndërsa kemi edhe marrëveshje kolektive në nivel të sektorëve dhe degëve ku janë përfshirë koeficientët në përputhje me kompleksitetin e punës dhe nivelin e arsimimit të punëtorit. Punëdhënësit duhet të thonë pse nuk e japin atë pjesë, ndërsa janë të detyruar ta bëjnë këtë në përputhje me marrëveshjen kolektive, ndërsa edhe Qeveria përmes inspektimeve pse nuk u urdhëron ta bëjnë këtë meqë kështu humbet një pjesë e mirë e tatimeve që mund të merren në bazë të kontributeve nga pagat. Me këtë humbasin të gjithë – edhe punëtorët edhe shteti. Punëtor produktiv është punëtor i cili është i kënaqur me pagën dhe kushtet e vendit të punës.

Në takimin me Qeverinë paralajmëroni se do të bisedohet edhe për regresin për pushim vjetor për sektorin publik. Çfarë kërkoni saktësisht?

– Si LSM besojmë se nuk duhet të ketë diskriminim mes punëtorëve. Në sektorin privat, është i detyrueshëm regresi për pushim vjetor. Gjithashtu, Sindikata e SPOGJ-it ka luftuar që punëtorët që i përfaqëson të marrin regres. Konsiderojmë se të gjithë punëtorët e sektorit publik duhet të marrin regres për pushim vjetor. Prandaj parashtruam Marrëveshje të re të përgjithshme kolektive për sektorin publik ku e rregullojmë atë të drejtë dhe në të themi – regres për pushim vjetor ose K-15 për të gjithë punëtorët e sektorit publik nga 30 deri në 100 për qind varësisht nga mundësitë e institucionit ose ndërmarrjes që është në pronësi shtetërore. Vetëm në këtë mënyrë e zgjidhim këtë çështje dhe nuk do të ketë diskriminim dhe ndarje mes punëtorëve. Këtë të drejtë që e kishim, e dikush, qoftë nën presion apo jo, na e shkurtoi në vitin 2008, duhet të kthehet, meqë duhet të shkojmë një hap më tej dhe të kujdesemi për punëtorët. Para Kushtetutës, të gjithë punëtorët janë të barabartë.

Propozimi i marrëveshjes kolektive është dorëzuar në prill të vitit të kaluar në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe në Qeveri, e për shkak të krizës politike është zvarritur. Tashmë, takimi që ishte caktuar për 20 janar, me kërkesë të ministrit të ri të Punës dhe Politikës Sociale dhe i Shoqërisë Informatike, kërkuan që këto katër ditë të bëjnë fluktim dhe të shohin edhe sa punëtorë do të përfshinte kjo zgjidhje ligjore. Sipas matematikës sonë, duke e ditur se në administratë punojnë rreth 130 mijë, ndërsa janë përfshirë mbi 40 mijë punëtorë me marrëveshjen kolektive të SPOGJ-it, mbeten edhe 90 mijë, por Qeveria më 24 janar do të tregojë saktësisht se për sa punëtorë bëhet fjalë dhe sa para do të ishin nevojitur, nëse marrim shumën minimale prej 30 për qind të pagës mesatare.

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky