Shkup, 16 prill – Trendi i mbylljes së klasave në shkollat fillore dhe të mesme u pati shndërruar në një proces normal. Por, tragjedia nuk përfundon me kaq mjerimi e keqardhja më e madhe kuptohet kur mbyllen edhe shkollat në tërë. Jo më shumë se një vit janë mbyllur 15 shkolla fillore. Statistikat e këtij viti shkollor janë më të errëta. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit në shkollat fillore dhe të mesme janë regjistruar 1300 nxënës më pak. Shifra alarmante dhe shumë shqetësuese, këto shifra janë përgjigje e shtypjes së vazhdueshme që i është bërë qytetarëve brenda vendit, në veçanti atyre shqiptarë. Derisa për nxënësit shqiptarë të Çashkës po zhvillohet beteja që ata të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, në shkollat tjera ku kjo e drejt ekziston vendet e nxënësve po ngelin të thata pas ikjes masive dhe të hovshme që po ndodhë nga qytetarët e gjithë vendit, sidomos atyre shqiptarë pa dallim gjinie e profesioni, shkruan Zhurnal.
Numri i shkollave fillore në rënie, 15 shkolla te mbyllura
Në një vit, numri i shkollave fillore në Maqedoni është ulur me 15, ndërsa numri i mësuesve është rritur me 283. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, gjithsej 14 shkolla fillore të rregullta janë mbyllur brenda një viti, duke ulur totalin nga 976 në 962. Një shkollë fillore speciale gjithashtu është mbyllur sipas të njëjtave burime.
Në të njëjtën kohë, numri i paraleleve në një vit ka pësuar një rënie të vogël, nga 11.057 në 10.997, ndërsa numri i nxënësve është zvogëluar nga 184.910 në 182.245. Megjithatë, është vlerësuar se numri i mësuesve në arsimin fillor është rritur, duke shkuar nga 19.326 në 19.609.
Ndërsa në arsimin e mesëm, numri i nxënësve u zvogëlua për 2700 dhe numri i klasave për 49 në të njëjtën periudhë. Kjo tendencë tregon ndryshime në strukturën e arsimit në Maqedoni, me një fokus të qartë në rregullimin dhe optimizimin e rrjetit shkollor në vend.
Shkollat po zbrazen qytetarët në kërkim të një jete më të mirë –
Vetëm për tre muaj nga 10 shkolla fillore të Gostivarit, 60 nxënës kanë kërkuar fletëshpërngulje për t’u larguar nga vendi, ndërsa 40 nxënës të shkollave të mesme, kanë marrë fletëshpërngulje për arsye të bashkimit familjar jashtë vendit, 95 % e nxënësve janë larguar në Gjermani, ndërsa një pjesë tjetër edhe në shtete tjera.
Përveç shkollave të Gostivarit edhe shkollat e komunës së Tetovës përballën me rënie të numrit të nxënësve shkaku i bashkimit familjarë në shtetet Evropiane.
Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, nga 12 shkollat fillore të Tetovës, fletëshpërngulje kanë marrë 128 nxënës dhe nga pesë shkolla të mesme të kësaj komune 31 nxënës janë shpërngulur jashtë shtetit. Për vetëm tre muaj nga katër shkolla fillore në Tetovë, 99 nxënës janë çregjistruar shkaku i shpërnguljes jashtë vendit.
Përveç dy shkollave fillore në Tetovë në të gjitha shkollat tjera ka çregjistrim të nxënësve shkaku i largimit jashtë vendit. Përveç shkollave në komunat më të madhe edhe ato të komunave më të vogla po zbrazen gradualisht. Nga 7 shkolla fillore dhe 4 të mesme të Komunës së Velesit nga fillimi i vitit shkollor e deri tani janë çregjistruar 41 nxënës, kërkesat kryesisht kanë qenë për bashkim familjar jashtë vendit në shtete të ndryshme.
Në komunën e Zhelinës, nga gjashtë shkollat qendrore dhe 11 shkolla periferike vetëm në këtë tremujor janë çregjistruar 47 nxënës të cilët kryesisht kanë bërë bashkim familjar në Gjermani, Zvicër, Itali dhe një në shtetin e Norvegjisë. Numri total i nxënësve në Komunën e Zhelinës është ulur ndjeshëm dhe tani më kanë mbetur 2407 nxënës, ka raportuar televizioni Alsat.
Kujtojmë që, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në fillim të vitit shkollor 2022/2023, numri i nxënësve në të gjitha shkollat fillore të vendit ishte 185.099, që paraqet një rënie prej 0.8% krahasuar me vitin shkollor paraprak 2021-2022.
Shkollat shqiptare po boshadisen gjithandej, kryesisht në numër më të madh dhe shqetësues, nga Tetova, Kumanova, Likova, Gostivar, Kërçovë, Dollnen, Veles, si dhe nga kryeqyteti Shkup.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk




