Shkup, 2 tetor – SHBA-ja i jep mbështetje të rëndësishme Qeverisë së RMV-së në zbatimin e aktiviteteve të kahëzuara drejt rritjes ekonomike dhe stabilitetit dhe përforcimit të praktikave dhe institucioneve demokratike. Vërtetim për atë janë dy amendamentet e nënshkruara të Marrëveshjes për grant për partneritet për zhvillim me çka shuma shtesë për këtë vit është në vlerë prej 3,5 milionë dollarë amerikanë. Anekset e Marrëveshjes i nënshkroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Marrëveshja me USAID-in për grant për partneritet për zhvillim ishte arritur më 6 maj të këtij viti në shumë prej 8,3 milionë dollarë amerikanë. Me dy anekset e nënshkruara të Marrëveshjes rritet shuma e grantit për plotësisht 3,5 milionë dollarë amerikanë, përkatësisht shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara këtë vit nga ky grant është 11,8 milionë dollarë amerikanë. Këto mjete shtesë janë dedikuar për përforcim të konkurrencës ekonomike dhe luftës kundër korrupsionit.
Siç kumtoi Ministria e Financave, Marrëveshja për grant për partneritet për zhvillim është në pajtim me Strategjinë për zhvillim dhe bashkëpunim 2020-2025 me të cilën janë paraparë gjithsej 56,6 milionë dollarë amerikanë, Këto mjete janë dedikuar për tre qëllimet zhvillimore përmes të cilave USAID e ndihmon Maqedoninë e Veriut të ketë rol udhëheqës në realizimin e zhvillimit të vet, si aleate më e re dhe vendi i 30-të anëtar i Aleancës perëndimore ushtarake NATO, si dhe gjatë fillimit të negociatave për inkuadrim në BE.
SHBA-ja përmes USAID-it deri më tani tek ne ka investuar mbi 833 milionë dollarë amerikanë.




