Kuvendi komunal në Preshevë me 20 vota pro nga 38 këshilltarë sa ka gjithsej Komuna e Preshevës ka shkarkuar Ardita Sinanin nga pozita e kryetares së Komunës së Preshevës gjatë seancës së jashtëzakonshme të mbajtur sot.
Pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, ku është shkarkuar kryetarja Ardita Sinani, është thirrur seanca e katërt për emërimin e kryetarit të ri.
Në këtë seancë të kuvendit komunal në Preshevë, me 20 vota PËR, Shqiprim Arifi u zgjodh kryetar i komunës.
Iniciativën për rrëzimin e kryetares Sinani, e cila tashmë rezultoi e suksesshme, Kurti e kishe vlerësuar si jo të nevojshme, duke shtuar se ndarja dhe përçarja janë në dëm të shqiptarëve.
“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe në dëm të shqiptarëve”, tha Kurti.
Në zgjedhjet e mbajtura në Serbi partitë shqiptare garuan me dy lista: “Alternativa Demokratike Shqiptare”, të cilës i priu Shqiprim Arifi – kryetar i partisë “Alternativa për Ndryshim”, njëherit partia me më shumë këshilltarë në kuvendin komunal të Preshevës, si dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, në krye me Shaip Kamberin nga Partia për Veprim Demokratik, dega Bujanoc.
Rezultati i përçarjes së shqiptarëve të luginës dhe mos mundësia e unifikimit të tyre vetëm me një listë zgjedhore pasoi me humbjen e turpshme të shqiptarëve në atë rajon. Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2020, ku ishin të unifikuar, këtë vit të ndarë në dysh nuk arritën të sigurojnë as edhe një ulëse në Parlamentin e Serbisë, ndërkaq serbet në Parlamentin e Kosovës kanë të rezervuara 20 ulëse.
Kjo ishte edhe arsyeja kryesore për të cilën krerët shqiptarë Albin Kurti dhe Edi Rama janë takuar me politikanët shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Mes tjerash ky takim më shumë është parë si takim “ngushëllimi”, por nga Prishtina nuk ka qenë vetëm i tillë sepse thirrjet e Kurtit nuk kanë munguar që shqiptarët kudo duhet të jenë të unifikuar për të mos dështuar.
Ndërkaq, Rama nga Tirana është takuar vetëm me kryetaren e Preshevës Ardita Sinani, ku pas takimit ka thënë fjalë të mëdha, duke e marr si shembull të mirë qeverisjen e Sinanit.
Pas humbjes në zgjedhjet nacionale në Serbi pati iniciativa për ndryshime lokale në Preshevë, ku “Alternativa për ndryshim” parti opozitare në Kuvendin Komunal në Preshevë e udhëhequr nga Shqiprim Arifi ka mbledhur nënshkrimet për të rrëzuar qeverisjen lokale, përmes të cilës kërkohet shkarkimi i kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
“Kemi mbledhur nënshkrimet për ta ndërruar pushtetin lokal në Preshevë. Ne i kemi 15 asamblistë dhe kjo gjë mund të konsiderohet e kryer”, është shprehur Shqiprim Arifi.
Iniciativë e cila rezultoi e suksesshme me çka seanca e shtyrë për sot, kuvendi komunal rrëzoi kryetaren Ardita Sinani.
Pas dështimit në zgjedhjet e fundit në Serbi ku shqiptarët e Luginës nuk arritën të sigurojnë as edhe një ulëse të vetme në Parlamentin e Serbisë, kryeministri i Republikës së Kosovës ftoi në takim përfaqësuesit politik nga Lugina e Preshevës në krye me kryetaren Ardita Sinani, pikërisht në ditën ndaj së cilës ishte planifikuar mbajtja e një seance të jashtëzakonshme për shkarkimin e saj, prandaj për këtë arsye është shtyrë për sot kjo seancë dhe rezultoi me shkarkimin e saj.
Gjatë takimit në Prishtinë u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.
“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna. Ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike” tha kryeministri Kurti gjatë takimit.
Mes tjerash ai shtoi se edhe mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore.
Analistja Donika Kadaj ka thënë se është rreshtuar në krah të kryetares së Preshevës dhe ka thënë se ata që mundohen ta rrëzojnë janë “humbësa”.
Kadaj shton se ishin ata që dështuan të marrin ulëse në Kuvendin e Serbisë, që tani po kërkojnë të hakmerren ndaj saj.
“Qysh bre do burra dështak që s’arriten me u bë deputet e nuk munden me u marrë vesh as midis tyre, tash duan me u hakmarrë te e vetmja grua kryetare në rajonin e afërt shqiptar. Po çfarë ju bëri ajo? Luzera të lodhët!”, shkruan ajo.
Takimet e Luginës me krerët shqiptarë nuk përfunduan në Prishtinë, vazhduan në Tiranë ku është takuar vetëm kryetarja Sinani me kryeministrin Rama.
Kryeministri Rama pas takimit deklaroi se „është kënaqësi të takoj Kryetaren Sinani e cila është model i qeverisjes së suksesshme të një gruaje edhe për komunat tjera“.
Kujtojmë se, në Serbi nuk dihet saktë se sa shqiptarë jetojnë, pasi ata patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.
Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, u tha se janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Rreth 20,000 shqiptarë raportohet se kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme. /Zhurnal.mk




