Shkup, 24 janar – Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili e kryeson delegacionin qeveritar për vizitë zyrtare në Bullgari, sot pasdite me nderime më të larta shtetërore ishte pritur në sheshin “Aleksandar Nevski” në Sofje.
Kovaçevski dhe delegacioni qeveritar zyrtarisht ishin pritur nga kryeministri bullgar Kiril Petkov. Dy kryeministrat vendosën kurora lule para Përmendores së luftëtarit të panjohur, informoi raportuesi i MIA-s nga Sofja.
Në kuadër të vizitës nesër në rezidencën “Bojana” do të mbahet seancë e përbashkët e qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që do të fillojë fjalimi i kryeministrave Kirill Petkov dhe Dimitar Kovaçevski ndërsa është paraparë të nënshkruhen edhe disa dokumente bilaterale.
Për nesër është paraparë edhe nënshkrimi i disa dokumenteve bilaterale, në mesin e të cilave edhe Memorandum për mirëkuptim për zhvillim të lidhjes hekurudhore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë “Shkup-Sofje”, ndërsa pas përfundimit të mbledhjes qeveritare, Kovaçevski dhe Petkov do të kenë konferencë për media.
Në përbërje të delegacionit qeveritar të kryesuar nga Kovaçevski, janë dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, Artan Grubi, zëvendëskryeministrat për Çështje Ekonomike dhe Koordinimin e Resorëve Ekonomikë dhe për Politika të Qeverisjes së Mirë, Fatmir Bytyqi dhe Sllavica Gërkovska, shefi i diplomacisë Bujar Osmani si edhe ministrat e Financave, Fatmir Besimi, i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski, e Kulturës Bisera Kostadinovska – Stojçevska, i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.
Mbledhja e përbashkët pason pas vizitës zyrtare javën e kaluar të kryeministrit bullgar Petkov në Shkup, kur u dakordua formimi i grupeve të punës nga të dyja anët të cilat duhet të punojnë intensivisht për tejkalimin e moskuptimeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në periudhën që paraprin, ndërkaq në suaza të dinamikës së re të bashkëpunimit, që e paralajmëruan dy kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov, duhet përmes takimeve të grupeve të punës t’i afrojnë pozicionet në disa sfera, të fokusohen në atë që praktikisht është e realizueshme për momentin, e me atë të hapet rrugë edhe për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet më të vështira dhe tejkalimin përfundimtar të kontestit dhe zhbllokimin e fillimit të konferencës së parë ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
Dy qeveritë formuan katër grupe të punës. Qeveria e Maqedonisë së Veriut i formoi grupet për ekonomi, tregti dhe inovacione, për infrastrukturë, transport dhe ndërlidhje, për integrim evropian dhe politika të gjelbra dhe për kulturë, shkencë dhe arsim.
Kryeministrat paralajmëruan pesë grupe pune, i pesti është ai historik, por të dy qeveritë nuk formuan grup të veçantë pune dhe sipas asaj që thanë Kovaçevski dhe Petkov në konferencën për shtyp në Shkup, kjo fushë e mbulon komisionin e përbashkët maqedonas-bullgar, Komisionin për Çështje Historike dhe Arsimore, por nuk specifikoi nëse do të vazhdojë të punojë në formatin aktual.
Sipas asaj që e paralajmëruan dy kryeministrat në periudhën që vjen dhe përmes takimeve të këtyre grupeve të punës historia do të vihet në plan të dytë, fokusi do të jetë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, përforcimi i bashkëpunimit në disa sektorë, si dhe fqinjësia e mirë matëse sipas qëllimeve dhe rezultateve të arritura. Është paralajmëruar punë dinamike e grupeve të punës, çdo javë njëri prej grupeve të ketë takim, Afrimi do të bëhet në mënyrë pragmatike, fillimisht atje ku nuk ka pengesa, ndërsa tashmë si projekt i parë është paralajmëruar vendosja e linjës së drejtpërdrejtë ajrore Shkup-Sofje, që, siç tha Petkov në Shkup, do të realizohej për dy muaj.




