Shkup, 5 korrik – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha përsëriti sot edhe një herë se me ribalancin e Buxhetit do të paguhen të gjitha subvencionet për blegtori.
Lidhur me protestën e paralajmëruar të blegtorëve të premten, Hoxha theksoi se bëhet fjalë për një grup njerëzish të abuzuar politikisht.
“Kur përgjithësohen “qumështoret e Manastirit”, duhet thënë se ky është një grup i caktuar që abuzohet vazhdimisht politikisht. Unë jam takuar me këta njerëz dhe nuk kam ndërmend t’u përgjigjem thirrjeve të tilla. Në pjesën e blegtorisë, kam pasur takime me Unionin e blegtorëve dhe jam në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe javën e ardhshme do të ketë debat publik mbi Ligjin për kullotat. Me ribalancin e Buxhetin suplementar do të paguhen të gjitha subvencionet për blegtorinë”, tha Hoxha.
Blegtorë nga shoqata “Fusha e Pellagonisë” dolën në një protestë paralajmëruese dy ditë më parë sepse nuk janë përmbushur premtimet qeveritare për pagesën e subvencioneve deri në fund të qershorit. Ata njoftuan bllokimin e rrugëve kryesore në të gjithë vendin nëse nuk marrin garanci se subvencionet do të paguhen për 25 muaj deri të premten.
Ministri Hoxha një ditë më parë, në Ditën e kooperativave, tha nga Prespa se subvencionet për blegtorët do të paguhen me ribalancin e Buxhetit.




