Agjencia Zhurnal.mk.

Nga zgjedhjet në Serbi, fitoi Kosova humbi Lugina

Shkup, 5 prill – Në Serbi janë mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në të njëjtën ditë më 3 prill, mirëpo ajo që është ndryshe prej zgjedhjeve të kaluara ishte fakti që fituesi më i madh në këto zgjedhje në Beograd ishte shteti i pavarur dhe sovran, Republika e Kosovës. Se është shtet i pavarur në tërësi u dëshmua pikërisht në këto zgjedhje, sepse ishte krijuar praktikë dhe shprehi e zakonshme, për zgjedhjet në Beograd të hapen vend votime në territorin e Republikës së Kosovës.

Mirëpo një praktikë e tillë mori fund, me fillimin e qeverisjes Kurti në Kosovë. Albin Kurti, kryeministër në Kosovë, ishte zotuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më në shtetin e Kosovës, sepse sipas tij me automatizëm cenon sovranitetin e shtetit. Dhe serbet që jetojnë në Kosovë dhe kanë shtetësi të Serbisë, kanë dy opsione për të votuar përmes postës dhe duke shkuar në Beograd, ndërkaq në Kosovë nuk do të hapen vendvotimet.

Edhe se në mes të krizës për paqe në botë, pas invazionit rus në Ukrainë, dhe duke u njohur Serbia si shtet aleat i Rusisë, ky vendim i z.Kurtit u përkthye si shumë i rrezikshëm që cenon sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj edhe hapur e shprehen “zhgënjimin” vendet e Quint-it: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

Mirëpo, Albin Kurti dëshmoi edhe në praktikë atë që e kishte thënë me fjalë kur ishte në opozitë, se shtetet perëndimore kanë nevojë për një lidership të vendosur të shohin në Kosovë që marrin vendime në interes të shtetit. Një vendim i tillë mbronte në mënyre direkte interesin e shtetit, prandaj edhe kaloi si i suksesshëm pa asnjë incident të ndodhur në Kosovë.

Ndërkaq, të dielën në mëngjes, më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.

Rashka është një nga komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku rreth 100,000 qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Transport i organizuar është bërë edhe në Graçanicë, një komunë e banuar me shumicë serbe, që gjendet pranë Prishtinës.

Megjithatë, nga këto zgjedhje të reja në Serbi, fitues janë figurat e vjetra. Presidenti aktual Vuçiç është zgjedhur me një besim të jashtëzakonshëm sikurse mandatin e kaluar. Por, ajo që vlerësohet është se një pasues i Milloshoviçit nuk mund të jetë në asnjë mënyrë e në asnjë kohë krijues i një stabiliteti në rajon posaçërisht, kur është fjala për shtetin e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk pret ndryshime pozitive nga zgjedhjet parlamentare dhe presideciale serbe, që u mbajtën më 3 prill.

Gjatë një konference për media në Prishtinë më 4 prill, Osmani tha se Serbia udhëhiqet nga një mentalitet i viteve ’90.

“Është për fat të keq edhe të Serbisë dhe të rajonit që nuk ka një ndryshim pozitiv, në kontekst të mentalitetit politik që e udhëheq Serbinë. Pra, edhe nëse flasim për të djathtë, të majtën apo qendrën, për fat të keq vazhdon një mentalitet i viteve ’90 ku Serbia vazhdon t’i shohë shtetet e tjera në rajon, në veçanti Republikën e Kosovës, Malin e Zi, por edhe Bosnjë e Hercegovinën si shtete të përkohshme”, tha Osmani.

Presidentja Osmani përsëriti akuzën se në zgjedhjet serbe të mbajtura më 3 prill, afër 6,000 shqiptarë nga komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, u është mohuar e drejta e votës, për shkak të pasivizimit të adresave të tyre të banimit.

Ndërsa i humbës nga këto zgjedhje ishin shqiptarët nga Presheva, Medvegja, dhe Bujanoci. Partitë shqiptare kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar i prirë nga Shaip Kamberi, dhe Alternativa për Ndryshim të udhëhequr nga Shqiprim Arifi – me gjithsej 20 kandidatë. Sipas rezultateve, shqiptarët mbetën pa asnjë deputet në Parlamentin e Serbisë, nuk fitoi as Shaip Kamberi.

“Ajo që është e qartë është se edhe në këto zgjedhje u kuptua se pasivizimi adresave ka qenë kryesisht etnik dhe selektiv, pra i ka goditur veçanërisht shqiptarët, qoftë në Medvegjë qoftë në Bujanoc, por në përgjithësi ka ndikuar në tkurrjen e trupit votues të shqiptarëve”, ka thënë Belgzim Kamberi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Preshevë.

Kujtojmë se, në Serbi nuk dihet saktë se sa shqiptarë jetojnë, pasi ata patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.

Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, u tha se janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Rreth 20,000 shqiptarë raportohet se kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme. /Zhurnal.mk

Related posts

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Raporti i Komitetit Evropian kundër Torturës: Në Shutkë, Prilep dhe Shtip janë përmirëuar kushtet, në Idrizovë gjendja alarmante

I Z

LSDM javën e ardhshme fillon “remontin”, do të zgjedhet kryetar i ri, nënkryetarë dhe udhëheqësi e re partiake

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky