Shkup, 29 dhjetor – Mbi 95 për qind e fazës së dytë të autostradës Kumanovë-Stracin ka përfunduar, modernizimi i kësaj autostrade si pjesë e Korridorit 8 është i një rëndësie të veçantë për mbarë vendin, tha zëvendëskryeministri përgjegjës për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore, Lupço Nikollovski, i cili sot së bashku me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, inspektuan përfundimin e punëve ndërtimore në këtë autostradë.
Në këtë fazë të dytë u rehabilituan 16,6 kilometra nga fshati Vojnik deri në Stracin. Vlera totale e investimit është afër 7,2 milionë euro.
“Kjo është një arterie rrugore e rëndësishme për lidhjen e rrugëve lokale dhe rajonale me korridoret kryesore, për qytetarët, por edhe për kompanitë, që mundëson transport të lehtë dhe më të shpejtë të njerëzve dhe produkteve. Më vjen veçanërisht mirë që i kemi vënë një theks të madh investimeve në infrastrukturën rrugore në lindje dhe verilindje, rajone të harruara prej vitesh. Infrastruktura për të cilën dikur vetëm flitej, sot është shndërruar në plan, program dhe realizim. Ne kemi investuar 80 milionë euro në infrastrukturën rrugore për modernizimin e rrugëve kyçe në këtë rajon, pjesën e Korridorit 8″, tha zëvendëskryeministri Nikolovski, kumtuan nga Sektori qeveritar për marrëdhënie me publikun.
Paralelisht po zhvillohen punime ndërtimore në fazën e parë nga Kumanova deri në fshatin Vojnik, në gjatësi prej 15,2 kilometra, në vlerë prej 5,4 milionë euro. Rehabilitimi i kësaj faze përfundon në qershor të vitit të ardhshëm.
Ministri Boçvarski theksoi se në vitin e kaluar një operacion i tërë ndërtimor është angazhuar në realizimin e projekteve kapitale në resorin transport.
“Me rehabilitimin e këtij seksioni dhe me ndërtimin e autostradës për në Kriva Pallankë, po krijojmë një lidhje moderne rrugore në pjesën verilindore të Korridorit 8. Gjithsej investimet e investuara në këtë rajon për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve arrijnë në mbi 80 milionë euro. Po ashtu, dëshiroj të theksoj se presim që realizimi i investimeve kapitale në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve të kalojë mbi 90 për qind, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve”, Blagoj Boçvarski.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Rustemi, siç qëndron në kumtesë, ka bërë të ditur se vitin e kaluar është rehabilituar dhe rikonstruktuar rruga prej 21 kilometra nga Rankovci në Kriva Pallankë dhe me rehabilitimet, riparimet dhe ndërtimet e tjera që kanë filluar në këtë rajon kompletohet Korridori 8.





 
					 
					 
	
