Më 5 prill 1873, në Korçë lindi Hafëz Ali Korça, hoxha, hafizi, hatipi, publicisti dhe përkthyesi i kryeveprave të letërsisë fetare e artistike orientale. Me veprën e tij ‘Bolshevizma a çkatrrim i njerëzimit’ u shënjua si denoncuesi i parë shqiptar i komunizmit. Në Korçë mori arsimin fillor dhe të mesëm.
Studimet e larta i kreu në medresen “Çifte Minareli” në Stamboll. Në lëvizjen kombëtare hyri që më 1889, kur zuri të jepte mësime falas në shkollën shqipe të djemve në Korçë dhe pas një viti edhe në idadijen e Korçës.
Gjatë kohës së debatit të shtyrë nga disa qarqe në Stamboll për llojin e alfabetit për gjuhën shqipe, Hafëz Aliu përkrahu alfabetin latin. Mbajti fjalën kryesore në Kongresin e Dibrës. Përkrahu Kongresin e Elbasanit, 2 shtator 1909, i cili i vuri themelet e arsimit kombëtar.




