Shkup, 24 janar – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) kërkon që institucionet kompetente sa më shpejtë të arrijnë marrëveshje me Kosovën në sferën e transportit të mallrave dhe shërbimeve që të mos shkaktohen, siç bëhet e ditur, dëme te bizneset nga të dyja palët, veçanërisht në kushte të krizës kur ka nevojë për stimulim të ekonomisë dhe ruajtje të stabilitetit socio-ekonomik.
“Me Odën e Biznesit të Kosovës folëm rreth çështjes për gjobat për transportuesit nga Republika e Maqedonisë së Veriut të shqiptuara në pikat doganore të Republikës së Kosovës, për çka ishte penguar aktiviteti ekonomik, por edhe si fenomen i cili nuk u përputh me partneritetin ekonomik të cilin të dyja vendet e ndërtuan përgjatë viteve”, informoi Oda.
Sipas OEMVP, shqiptimi i gjobave për transportuesit nga Republika e Maqedonisë së Veriut ka të bëjë me mospasjen e marrëveshjes mes të dyja qeverive.
“Reagimi i përbashkët i OEMVP-së dhe OBK shkaktoi që ky shqiptim i gjobave të ndërpritet derisa nuk arrihet marrëveshje mes të dyja vendeve në sferën e transportit të mallrave dhe shërbimeve. OEMVP ju bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente të RMV-së që sa më shpejtë të ndërmarrin haptas drejtë gjetjes së marrëveshjes afatgjate për këtë çështje, me qëllim që të mos dëmtohen bizneset e të dyja palëve, veçanërisht në këtë kohë të krizës kur kemi nevojë për stimulim të ekonomisë dhe ruajtje të stabilitetit socio-ekonomike”, potencojnë nga Oda.




