Agjencia Zhurnal.mk.

Pak shpresa për hyrjen e BDI-së në Qeveri: A mundet thirrja për bojkot të sjellë “vaj edhe lotë” ?

Shkup, 9 maj – “Është koha që BDI së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë”!. Ishte kjo një nga fjalitë e para që e tha të mërkurën në mbrëmje kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në paraqitjen e parë në opinion, pasi u bë e qartë se partia e tij ka arritur fitore absolute dhe se pikëpyetja e vetme ishte nëse do të kenë 60 deputetë, ose një-dy më pak se 60. Me këtë, dërgimin e LSDM-së dhe BDI-së në opozitë, Mickovski i numëroi në mesin e prioriteteve kryesore të qeverisjes së tij në ardhje.

Deri sa LSDM-në në opozitë e dërgoi vullneti i qartë i votuesit, Mickovski gjatë numëritmit të prioritetee e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të heq dorë nga premtimi parazgjedhor se qeverinë do e bëjë me opozitën shqiptare. Fitorja e bindshme me 58 ose 59 deputetë, si duket i krijon Mickovskit komoditetin e duhur që t’i mbetet besnik këtij premtimi, për të cilin njohësit e rrethanave e dinë se është mjaft i rëndësishëm si për imazhin e tij politik, aqe edhe për imazhin e partisë së tij, nëse i bëjmë një retrospektivë skenës politike të pas vitit 2017, shkruan Zhurnal.

Bindjen se do i qëndron besnik premtimit në fjalë, Mickovski e përforcoi edhe duke përdorë formulimin se “në zgjedhjet e sotme ka humbur edhe bojkoti i BDI-së”, duke iu referuar informacioneve nga tereni që tregonin dallim relativisht të madh në vendvotime me shumicë shqiptare mes atyre që votonin për zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale, e që ishte rezultat i thirrjeve publike dhe të heshtura për të rrezikuar censusin 40 për qind të domosdoshëm për zgjedhje të suksesshme presidenciale.

BDI, më vonë gjatë ditës së djeshme bëri përpjekje t’a kamuflojë këtë bojkot, por për Mickovskin nuk ka dilema: Bojkoti i presidencialeve ka ardhur drejtpërdrejtë nga BDI-ja!
“Ne ia dolëm! Maqedonia fitoi! Një fitore historike e popullit! Populli ka treguar se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrojnë veten përmes institucioneve. Është koha që BDI së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë. Nuk do t’ju zhgënjejmë, rezultatet e punës sonë do të shfaqen në 100 ditët e para të qeverisjes”, tha Mickoski, në një deklarim mjaft të prerë dhe të qartë, jo i zakonshëm për shpalljen e fitores në natën e parë zgjedhore, kur zakonisht dërgohen mesazhe të përgjithësuara.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, por edhe liderët e koalicionit VLEN, në asnjë moment nuk e kanë fshehur se janë në komunikim të vazhdueshëm mes veti. Si duket në bazë të të këtij komunikimi, kryetari i Lëvizjes Besa nga Koalicioni VLEN, Bilall Kasami, i dha vetes lirinë që pas përfunimit të procesit zgjedhor të paralajëmrojë formim të shpejtë të Qeverisë së re.

“Nesër nisin negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve”, ka thënë ai. Sipas Kasamit, ka ndikuar edhe mërgata që kanë ardhur për të votuar. “Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo është si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj i them 100 mijë herë “faleminderit, faleminderit, faleminderit të gjithë atyre që erdhën dhe bënë edhe një herë ndryshimin në atdhe!”.

Kundër hyrjes së BDI-së në Qeveri në mënyrë indirekte është deklaruar edhe presidentja e re e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, e cila në fjalimin e shpalljes së fitores të mërkurën në mbrëmje, poashtu “thumboi” bojkotin e zgjedhjeve presidenciale, me porosinë mes rreshtave se ata që bojkotuan, nuk mund të shpresojnë të jenë pjesë e qeverisë së re. Që do të thotë se ideologu ose ideologët e bojkotit, në fakt do të jenë ata që vendosën konturat e një qeverie të re pa BDI-në, shkruan Zhurnal.

Krejt këto zhvillime kanë krijuar një realitet të ri, që e bëjnë mjaft të prekshëm dhe real ndryshimin e premtuar të pushtetit tek shqiptarët që nga themelimi i koalicionit VLEN, e që asokohe për shumë kë dukej si fanta-shkencë. Mbetet ditëve në vijim, negociatat konkrete paszgjedhore të tregojnë nëse vërtetë ndryshimi tek shqiptarët do të bëhet realitet, mirëpo parakushtet ekzistojnë, kurse premtimi është se qeveria e re do të formohet shumë më shpejtë se limitet që parashohin afatet formale kushtetuese-ligjore./Zhurnal

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky