Shkup, 27 shkurt – Në shpalljen publike për personat e papunë për masën pilot “Shansi i dytë” për shkollim të mëtutjeshëm, të publikuar më 31 dhjetor 2022m deri më tani janë paraqitur 107 persona, ndërsa përfshirja e përgjithshme është 200. Interesim më i madh është shfaqur për profesionin elektromakinerik, hotelierik dhe ushqimor.
Siç theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, në takimin e sotëm të punës për këtë masë, i teti me radhë në kuadër të projektit IPA “Aktivizimi i grupeve të ndjeshme në tregun e punës”, synohet përfshirja e një numri sa më të madh të grupeve të ndjeshme të papunë me arsim fillor dhe të mesëm të pambaruar për të përfunduar shkollimin e tyre në sistemin formal të arsimit, kryesisht atë të mesëm profesional, për të plotësuar nevojat e sektorit real për fuqi punëtore të kualifikuar.
Ajo gjatë kësaj shprehu keqardhje që gjatë vizitës në kabinetet e kësaj shkolle pjesa më e madhe e nxënësve të cilët po përgatiten për kuzhinierë dhe për profesionin e hotelierisë, kanë deklaruar se karrierën e tyre e shohin jashtë shtetit.
Shtefan Hudolin, shef i bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shkup, sqaroi se arsyeja e përfshirjes së tyre në projekt është se përkundër përmirësimeve të caktuara në drejtim të rritjes së numrit të të punësuarve, ende ka një boshllëk sa i përket nevojave të punëtorëve në tregun e punës dhe të kuadrove që krijon sistemi arsimor.
Drejtori i Agjencisë së Punësimit, Bekim Murati, theksoi se projekti IPA “Aktivizimi i grupeve të ndjeshme në tregun e punës” po zbatohet nga Agjencia për të tretin vit, për të cilin janë siguruar tre milionë euro nga BE-ja, rreth 350 mijë nga bashkëfinancimi kombëtar dhe 841 mijë euro nga buxheti i APRMV-së. Grupi i synuar janë përfituesit e asistencës minimale të garantuar, të rinjtë deri 29 vjeç, romë, gra, persona me aftësi të kufizuara dhe persdona të papunë në afat të gjatë (mbi 12 muaj).
Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, deri më 31 janar 2023, nga numri i përgjithshëm prej 112 mijë të papunëve, gati nëntë për qind nuk kanë përfunduar arsimin e mesëm. Murati informoi se për realizimin e këtij pilot programi do të përfshihen edhe institucionet për arsim profesional, të cilat do të marrin kompensim deri në 30.750 denarë për person dhe do të realizohet në një periudhë prej 12 muajsh. Të papunët e interesuar mund të aplikojnë në 30 qendra të Agjencisë, ndërsa shpallja është e hapur për regjistrim deri në plotësimin e hapësirës së planifikuar prej 200 pjesëmarrësish.
“Shansi i dytë” këtë vit realizohet si pilot program, ndërsa nga viti i ardhshëm do të përfshihet në planin operativ të APRMV-së dhe të MPPS-së.




