Shkup, 5 tetor – Disa qindra qytetarë të Ballkanit Perëndimor nënshkruajtën peticion me të cilin u bëjnë thirrje qeverive të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe liderëve nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të veprojnë menjëherë në heqjen e regjimit të vizave dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë në rajon dhe në Zonën e Shengenit. Peticioni ishte ngritur disa ditë para Samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.
Astrit Istrefi, drejtor ekzekutiv i Forumit ballkanik, organizata rajonale që e filloi peticionin, deklaroi se koha është BE-ja ta plotësojë premtimin e saj dhe t’u japë liberalizim të vizave qytetarëve kosovar më së voni deri në fund të këtij viti.
“Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i plotëson të gjitha dispozitat e nevojshme për liberalizim të vizave. Më shumë se tre vjet më së voni, kosovarët janë qytetarët e vetëm në Ballkanin Perëndimor të cilëve ende u nevojitet vizë për udhëtim në Zonën e Shengenit. Me mosplotësimin e premtimeve të tyre, kredibiliteti i BE-së është në pyetje”, theksoi Istrefi.
Homologu i tij Samir Behariq theksoi se barrierat e përhershme për liri të lëvizjes në rajon dhe nëpër Zonën e Shengenit i shkelin lidhjet familjare, parandalojnë bashkëpunim rajonal dhe e pengojnë mobilitetin studentor dhe akademik.
“Në peticionin tonë kërkojmë nga qeveritë e Bosnja e Hercegovinës, Kosovës dhe Serbisë t’i mënjanojnë të gjitha pengesat për liri të lëvizjes së njerëzve ndërmjet vendeve të treta. Për shkak të regjimit të vizave ndërmjet Bosnja e Hercegovinës dhe Kosovës, qytetarët e këtyre dy vendeve ende duhet të aplikojnë për vizë që ta kalojnë kufirin pa marrë parasysh qëllimin, duke i përfshirë edhe vizitat familjare, programet për këmbim të studentëve ose turizëm. Samiti i ardhshëm i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni, do të jetë mundësi e mirë për liderët e Ballkanit Perëndimor të përkushtohen në bashkëpunimin rajonal dhe ta nënshkruajnë marrëveshjen për udhëtim me letërnjoftime në mbarë rajonin”, tha Behariq.
Ky peticion është vazhdim i kërkesës së nënshkruar nga 78 individë dhe organizata të shquara nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja, mes të cilëve edhe Goran Svilanoviq, Hanes Svoboda, Erhard Busek, Ulrike Lunaçek, Florijan Biber etj. Nënshkrimet e këtij peticioni do të dërgohen te Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së, Parlamenti Evropian dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.




