Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës ka thënë e ndihet e tronditur me dhunën ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, në ndeshjen e Superligës mes Gjilanit dhe liderit të Superligës të dielën, duke i kërkuar Federatës së Futbollit t’ua ndalojë huliganëve hyrjen në stadiume të futbollit.
Stivi Frashëri i Ballkanit u sulmua dhunshëm në fushën e lojës nga disa tifozë të Gjilanit, të cilët e pushtuan fushën pasi skuadra e tyre e kishte barazuar rezultatin kundër liderit të Superligës në kohën shtesë, duke e hedhur për toke dhe shkelmuar në kokë portierin 31-vjeçar.
Ndeshja u pezullua dhe portieri shqiptar u dërgua në spital me ambulancë pasi i kishte humbur ndjenjat për disa minuta. Ai u lirua nga spitali të dielën vonë.
Në një reagim në Facebook, SHMDF-ja shkroi: “Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës është e shokuar me incidentin që ngjau dje në Gjilan, dhe dënon ashpër sulmin nga tifozët e klubit futbollistik SC Gjilani ndaj portjerit të KF Ballkani, Stivi Frashëri, me kërkesën që akterët e kësaj ngjarje të mos lejohen më kurrë të përcjellin ndeshje sportive futbollistike, sepse “tifozë” të tillë nuk i duhen as SC Gjilanit – as ndonjë ekipi tjetër të futbollit.”
Ajo i bëri thirrje, FFK-së, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe udhëheqjen e garave të futbollit në vend në bazë të nenit 57 të Statutit të federatës, të ndërmarrë masa ndaj tifozëve që shkaktuan dhunën.
“Ne kërkojmë nga Federata e Futbollit të Kosovës të marrë masat e duhura dënuese dhe parandaluese që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më. Futbollistët brenda vijave të fushës së lojës janë të shenjtë e të paprekshëm dhe siguria e tyre duhet të jetë e plotë dhe e padiskutueshme”, thuhet një reagimin e saj.




