Gostivar, 28 shkurt – Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, sot ka mirëpritur në takim ambasadorin gjerman në vend, Otto Graf, informon Zhurnal.
Në takim u diskutua për rëndësinë e investimeve të huaja në Gostivar, si dhe për rritjen e tyre në vazhdimësi.
“Theksova bashkëpunimin e çmuar lidhur me projektet në Gostivar nga ana e Ambasadës së Gjermanisë deri më tani dhe e falënderova ambasadorin për interesimin e treguar për të zhvilluar nisma të reja.
E njoftova z. Graf edhe me projektet prioritare për Gostivarin që duhet të realizohen në periudhën e ardhshme dhe me ato që deri më tani i kemi përmbushur, sidomos nëpër shkolla dhe në fushën e sportit.
Gjithashtu, biseduam edhe për situatën politike, gjegjësisht për ndryshimet e domosdoshme kushtetuese me të cilat do të hapet rruga evropiane për vendin tonë. Në këtë drejtim e sigurova ambasadorin se mbështesim çdo përpjekje dhe nismë që ka të bëjë me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Nga z. Graf mora edhe urimet e para për kyçjen e ASH-së në Qeveri dhe shprehëm optimizëm se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin”, njofton Taravari./Zhurnal.mk




