Strugë, 21 janar – Shtatëmbëdhjetë pacientë në gjendje relativisht stabile pozitivë në Kovid-19, janë hospitalizuar në spitalin modular në Strugë.
Dhjetë nga të hospitalizuarit, sipas drejtorit të Spitalit të përgjithshëm në Strugë, Armend Arsllani, janë me mbështetje të oksigjenit, ndërsa 15 janë të vaksinuar kundër Kovid-19.
“Të hospitalizuarit janë me pasqyrë klinike relativisht stabile. Pjesa më e madhe, gjegjësisht 15, janë vaksinuar kundër koronavirusit me nga dy doza, ndërsa disa edhe me tre”, deklaroi Arsllani.
Ai shtoi se në qendrën për kovid çdo ditë bëhen nga 50-të kontrolle ambulatore të pacientëve me simptoma të Kovid-19.
“Vetëm mbrëmë janë kryer 55 kontrolle ambulatore, ndërsa në ditët paraprake shifra arrinte edhe deri në 100. Kemi pasur edhe ditë me 70, 80 kontrolle ambulatore, por edhe me nga 99, 97…Frekuencë më të lartë ka në ditët e punës, ku numri i kontrolleve është më i madh”, sqaroi drejtori.
Siç tha, sipas analizave edhe pse numri i rasteve pozitive është i madh, megjithatë pacientët janë me pasqyrë klinike më të butë dhe mjekohen në kushte shtëpiake. Nëse ka fluks më të madh të pacientëve, ai theksoi se spitali në Strugë është i gatshëm për hospitalizimin dhe trajtimin e tyre.




