Mijëra fëmijë emigrantë në një kamp të improvizuar në jug të Meksikës janë të ekspozuar në rrezik nga kequshqyerja, sëmundjet dhe ndarja nga familjet e tyre, paralajmëroi UNICEF.
Në kampin e ngritur pranë një stadiumi futbolli në qytetin jugor të Meksikës, Tapaçula, mijëra emigrantë, përfshirë shumë fëmijë, presin një përgjigje për kërkesën e tyre për azil ose vizë humanitare.
Në një video-mesazh, zëvendës përfaqësuesja e UNICEF-it në Meksikë Presia Arifin-Kabo paralajmëroi se situata ishte kritike. “Shumë janë të shqetësuar për përhapjen e kovid,” tha ajo. ” Përveç kësaj, ka shumë mbeturina, ndërsa migrantët nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe higjienë, si dhe u mungon ushqimi.
UNICEF është veçanërisht i shqetësuar për mundësinë e ndarjes së familjeve, ndërsa shumë familje kanë humbur dokumentet e tyre gjatë rrugës, shtoi Arifin-Kabo.
Autoritetet meksikane janë përpjekur të çmontojnë kampin, i cili ndodhet pranë kufirit me Guatemalën, dhe kanë filluar zhvendosjen e emigrantëve nga Tapaçula në pjesë të tjera të vendit, duke premtuar se do të rregullojnë statusin e tyre.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 40 për qind e 84,600 refugjatëve që vijnë në Meksikë janë të mitur.
Shumë migrantë shpresojnë se mund të kërkojnë azil në SHBA, të cilët javën e kaluar rifilluan Protokollet e Mbrojtjes së Emigrantëve, të cilat kërkojnë që azilkërkuesit të presin në Meksikë për një seancë dëgjimore nga zyrtarët e emigracionit amerikan.




