Shkup, 20 dhjetor – Avokati i Popullit Naser Zyberi personalisht dyshon se ka gatishmëri, kapacitet dhe burime të mjaftueshme në institucionet kompetente që të ndryshohet gjendja me besimin e ulët të qytetarëve në gjyqësor.
Zyberi, duke e komentuar anketën e IRI-së për rënien e besimit të qytetarëve në gjyqësor, në konferencën e sotme për shtyp, sqaroi se këtu para së gjithash mendohet për Këshillin Gjyqësor Republikan dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë.
“Pa ndonjë rol më aktiv të të gjitha segmenteve të pushtetit. Mendoj për Qeverinë, Kuvendin, Gjyqësorin vështirë se do të ketë ndonjë përmirësim më serioz. Ne duhej të presim të na sinjalizojnë dhe të na kritikojnë nga ana e Ambasadës së SHBA-së, BE etj. që të vetëdijesohemi se gjendja nuk është e mirë”, deklaroi Zyberi.
Lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në fushën e gjyqësorit, Zyberi theksoi se numri më i madh i parashtresave në institucionin e Avokatit të Popullit vijnë, pikërisht nga kjo fushë, gjegjësisht drejtësia, gjyqësori, me nënfusha – gjykatat themelore, përmbaruesit, avokatët, noterët etj.
“Ky nunër, me pasqyrën e sotme nuk e di, por sigurisht është mbi 400 parashtresa, nga të cilat gati gjysma kanë të bëjnë me punën e përmbaruesve. Do të thotë gjykatat dhe përmbaruesit dominojnë sa i përket numrit të parashtresave të qytetarëve”, deklaroi Zyberi.




