Shkup, 6 prill – Zyrtarët zgjedhorë në Hungari kanë njoftuar se numërimi fillestar i votave sugjeron se Viktor Orban dhe partia e tij, Fidesz, kanë shënuar fitore në zgjedhjet e mbajtura më 3 prill.
Për shkak të sistemit të komplikuar të votimit në Hungari, shifrat ka të ngjarë që të ndryshojnë pak gjatë javës së ardhshme.
Por, rezultati i pritshëm është që partia e krahut të djathtë, që është në pushtet, Fidesz, do të ketë një shumicë prej dy të tretave në legjislaturën e re, gjë që e lejon atë të qeverisë pa u sfiduar, shkruan Zhurnal.
Vëzhguesit e zgjedhjeve ishin të befasuar me fitoren e thellë, pasi sondazhet parazgjedhore sugjeruan se do të ishte një garë e ngushtë. Edhe pse votat ende janë duke u numëruar, në zgjedhjet ku pati një dalje të madhe prej rreth 70 për qind të 8 milionë votuesve në Hungari, diferenca e madhe e fitores dhe faktorët e tjerë, ka të ngjarë që t’iu japin vëzhguesve arsye për shqetësim.
“Një ‘zgjedhje e vjedhur’ nënkupton që dikush ka thyer të gjitha rregullat. Dhe e dini, ajo që Orbani është aq i mirë që të shpikë rregulla që i duhen për të fituar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Kim Lane Scheppele, profesoreshë në Princeton. Scheppele, e cila është autore edhe e librave për sundim të ligjit, e bëri këtë deklaratë disa orë pas mbylljes së vendvotimeve në Hungari.
“Ne korrëm një fitore kaq të madhe sa që mund ta shihni nga Hëna dhe sigurisht që mund ta shihni nga Brukseli”, tha Orban në fjalimin e tij, në të cilin shpalli fitoren.
Opozita hungareze më në fund i bashkoi forcat. Por, as një opozitë e bashkuar nuk dëshmoi se mund ta heqë nga pushteti Qeverinë “joliberale”, e cila ka fituar tri mandate radhazi dhe dominon skenën politike që prej vitit 2010.
Në atë kohë, Orban ka ndryshuar Kushtetutën dhe aspektet kryesore të ligjeve të zgjedhjeve, si dhe ka konsoliduar kontrollin e pothuajse të gjitha mediave kryesore në shtet.
Pothuajse në të gjitha aspektet para votimit, opozita ishte më e organizuar se në çdo palë zgjedhje që janë mbajtur viteve të fundit.
Ajo që vërehet çdo palë zgjedhje që mbahen në Hungari është fakti se armiqtë e Orbanit vetëm se po shtohen.
Orban menjëherë u mburr duke thënë se “ne fituam më së miri kur të gjithë u bënë bashkë kundër nesh”.
Ai përmendi “qendra dhe organizata të mëdha ndërkombëtare”, një aludim për armiqtë e Orbanit sikurse Bashkimi Evropian ose përpjekjet eGeorge Soros për promovimin e demokracisë, shkruan Zhurnal.
Ndërkaq, një mision i plotë i vëzhguesve të jashtëm është në Hungari.
Kjo është hera e dytë në histori që Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka kërkuar që të ketë një mision të plotë vëzhgues në një shtet të BE-së. Kjo për shkak të shqetësimeve për mundësi të mashtrimeve në zgjedhje, anësi të mediave dhe përdorim të burimeve shtetërore.
“Orban po ashtu foli edhe për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili muajin e kaluar tha se lideri hungarez po heziton që t’u bashkohet aleatëve të NATO-s dhe BE-së për të ndihmuar me furnizimin e Kievit me armë që prej se Putini nisi luftën ndaj Ukrainës më 24 shkurt.
Në natën e zgjedhjeve, Orban e përshkroi Zelenskyn si një “kundërshtar”, tha Jennifer McCoy, hulumtuese në Institutin për Demokraci në Universitetin Shtetëror të Gjorgjias në Atlanta.
Përgjigjja e Orbanit për pushtimin rus të Ukrainës dhe për 4 milionë refugjatët që kanë ikur nga Ukraina, ka qenë dënim për shkeljen territoriale kundër një shteti fqinj. Ai, po ashtu, u është bashkuar sanksioneve perëndimore, por me vendosmëri ka kundërshtuar që të ndihmojë direkt BE-në dhe aleatët e NATO-s për furnizimin me armë dhe asistencë të sigurisë për Ukrainën dhe forcat që qëndrojnë pas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Përgjatë viteve, Orbani me kujdes ka krijuar raporte të afërta diplomatike dhe tregtare me Moskën dhe Putinin, përfshirë edhe importet e energjisë.
Në prag të një mandati të ri, Obran ka qenë në pushtet për 16 vjet në 24 vjetët e fundit.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ishte në Hungari për t’i dhënë mbështetje në zgjedhjet parlamentare kryeministrit Viktor Orbani, ndërsa urimin e ka përfunduar duke thënë “Maqedonia ka miq”.
Pikërisht në Budapest të Hungarisë gjendet në arrati ish kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevski, i cili gëzon statusin e azilantit, të miratuar nga administrata e udhëhequr nga Viktor Orban.
Darko Kaevski zëdhënësi i LSDM-së, sot në një konferencë për shtyp tha se Mickovski po ndjek drejtime dhe detyra të reja nën monitorim të mentorit të tij Nikolla Gruevski.
Sipas Kaevskit, vizita e Mickoskit në Hungari hap dyshime serioze në lidhje me disa raste gjyqësore që po udhëhiqen kundër Gruevskit dhe ish-kryesisë së VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe Gruevski që nga viti 2018 është në arrati duke u ikur kështu dënimeve me burg për disa lëndë gjyqësore, ndërsa për arratisjen e tij asnjë institucion deri tani nuk mban përgjegjësi.
Nga VMRO-DPMNE thonë se lideri i tyre Hristijan Mickoski nuk është takuar me Gruevskin. Sipas kësaj partie kryeministri Kovaçevski është ai që merr udhëzime nga ish-kryeministri Zoran Zaev për të shkruar kumtesa kundër VMRO-DPMNE-së.
“Kemi një njëri i cili çdo ditë është pion dhe vasal klasik i Zoran Zaevit, ai është zotëri Kovaçevski i cili çdo ditë pranon instruksione si dhe çfarë të punojë në Qeveri. Siç e shohim mirë i ka trashëguar ato punë që i ka bërë Zaevi, praktikisht asgjë të mos punojë, thjeshtë të punojë vetëm kundër interesave të qytetarëve”, theksoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së./Zhurnal.mk




