Shkup, 6 prill 2022 – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot kishte takim me Xhon Kenedi Mosoti, drejtor i Fondit për popullsinë i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) për Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë, dhe Afërdita Shala-Plavjanska. shef i zyrës së UNFPA-së në vend, ku u diskutua për përgatitjen e Strategjisë së re për politikat demografike të Maqedonisë së Veriut.
MPPS thekson se dokumenti është i një rëndësie të madhe sepse identifikon fushat dhe drejtimet prioritare për përmirësimin e trendeve ekzistuese demografike duke zbatuar politika afatgjata dhe fusha të veprimit që ndikojnë drejtpërdrejt dhe indirekt në zhvillimin demografik në vend.
Siç kumtoi MPPS-së, ministrja theksoi se përgatitjes së strategjisë së re për politikat demografike i paraprin procesi i vlerësimit të strategjisë ekzistuese dhe shkallës së zbatimit të saj, pasuar nga themelimi i një grupi punues ndërsektorial që do të bëjë rekomandime për zhvillimin e strategjisë së re. Është praktikë që të organizohen punëtori përfundimtare për të finalizuar prioritetet dhe politikat e propozuara për veprim.
Drejtori i UNFPA-së Xhon Kenedi Mosoti theksoi se UNFPA me mbështetje eksperte dhe teknike si dhe me praktikë të mirë do të marrë pjesë aktive në përgatitjen e strategjisë së re dhe se të gjitha përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrja Trençevska janë qartë të dukshme dhe njohur. Siç informojnë nga MPPS-ja, ai është shprehur i kënaqur me planet dhe projektet e ardhshme të ministrisë.
Në takim u diskutua gjithashtu për hapjen e Qendrës Burimore të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, e cila është e para e këtij lloji në Evropë dhe do të ofrojë trajnime për përmirësimin e kapaciteteve të nëpunësve civilë në fushën e barazisë gjinore dhe buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, si një qendër njohurish që do të dokumentojë kërkime, analiza dhe burime të tjera në lidhje me barazinë gjinore.
“Barazia gjinore dhe mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat është një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në atë drejtim janë të gjitha aktivitetet që synojnë përmirësimin e legjislacionit, politikave dhe dokumenteve strategjike në këtë fushë, tha Trençevska.
MPPS në kumtesë thekson se të dyja palët janë pajtuar që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen me ritme edhe më të forta në fushat nën juridiksionin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale./Zhurnal.mk




