Shkup, 6 prill – Në Serbi, të dielën e datës 03 prill 2022 u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të këtij shteti. Partitë shqiptare garuan me dy lista: “Alternativa Demokratike Shqiptare”, të cilës i priu Shqiprim Arifi – kryetar i partisë “Alternativa për Ndryshim”, njëherit partia me më shumë këshilltarë në kuvendin komunal të Preshevës, si dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, në krye me Shaip Kamberin nga Partia për Veprim Demokratik, dega Bujanoc.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve ishte se për herë të parë Lugina e Preshevës ishte përballë dy listave shqiptare, kështu duke shkelur marrëveshjen e Tiranës zyrtare, e cila ishte nënshkruar në vitin 2020 për të vetmin qëllim, unifikimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në një listë të përbashkët karshi zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Rezultati i përçarjes së shqiptarëve të luginës dhe mos mundësia e unifikimit të tyre vetëm me një listë zgjedhore pasoi me humbjen e turpshme të shqiptarëve në atë rajon. Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2020, ku ishin të unifikuar, këtë vit të ndarë në dysh nuk arritën të sigurojnë as edhe një ulëse në Parlamentin e Serbisë, ndërkaq serbet në Parlamentin e Kosovës kanë të rezervuara 20 ulëse.
Më 16 janar të vitit 2020, katër parti politike shqiptare në Luginën e Preshevës, janë marrë vesh që në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në pranverën e këtij viti, të dalin me listë të unifikuar zgjedhore.
Zgjedhjet e vitit 2020 në Serbi kanë qenë të parat, dhe ndoshta do të jenë të vetmet kur subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës kanë qenë të unifikuar në një listë zgjedhore.
Përfaqësuesit e dy kampeve politike kanë fajësuar njëri-tjetrin për mosrespektimin e kësaj marrëveshjeje.
Shqiprim Arifi ka fajësuar drejtpërdrejt ish-deputetin Shaip Kamberi për përçarje në mes të shqiptarëve të kësaj pjese, ndërkaq Kamberi është drejtuar me akuza të tjera ndaj Arifit.
Me ndërmjetësimin e ish-ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, në vitin 2020, partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kishin arritur marrëveshje që për zgjedhjet e asaj kohe të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore.
Kjo ishte hera e parë në historinë e pluralizmit politik që subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës ishin bashkuar.
Pra, humbës nga këto zgjedhje ishin shqiptarët nga Presheva, Medvegja, dhe Bujanoci. Partitë shqiptare kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar i prirë nga Shaip Kamberi, dhe Alternativa për Ndryshim të udhëhequr nga Shqiprim Arifi – me gjithsej 20 kandidatë. Sipas rezultateve, shqiptarët mbetën pa asnjë deputet në Parlamentin e Serbisë, nuk fitoi as Shaip Kamberi.
“Ajo që është e qartë është se edhe në këto zgjedhje u kuptua se pasivizimi adresave ka qenë kryesisht etnik dhe selektiv, pra i ka goditur veçanërisht shqiptarët, qoftë në Medvegjë qoftë në Bujanoc, por në përgjithësi ka ndikuar në tkurrjen e trupit votues të shqiptarëve”, ka thënë Belgzim Kamberi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Preshevë.
Kujtojmë se, në Serbi nuk dihet saktë se sa shqiptarë jetojnë, pasi ata patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.
Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, u tha se janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Rreth 20,000 shqiptarë raportohet se kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme. /Zhurnal.mk




