Shkup, 3 maj – Kompanitë e sigurimeve janë paraqitur me një reagim zhgënjyes pas vendimit të rregullaroit për të kthyer çmimin e vjetër të autopërgjegjësisë gjatë sigurimit të automjeteve. Sado që qytetarët janë gëzuar me kthimin e çmimit të vjetër, reagimi i kompanive është shetësues dhe paralajmëron se dëmi mund të jetë më i madh se përfitimi në periudhë afatgjatae.
Kompanitë e sigurimeve madje pretendojnë se me këtë vendim shkelen edhe rekomandimet e Komisionit Evropian, gjë që reagimin e bën edhe më paralajmërues dhe implikon marrjen parasysh të shqetësimeve të tyre.
Maqedonia e Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vazhdimisht duhet të sillet në suaza të kornizave të rekomandimeve që vijnë nga Brukseli. Kjo duhet të bëhet edhe kur kemi zgjedhje edhe kur nuk kemi zgjedhje. Edhe kur kemi fushatë edhe kur nuk kemi fushatë. Vendimet duhet të shqyrtohen në mënyrë serioze, e jo varësisht nga momentumi politik.
Çdo ulje çmimesh është e mirëseardhur për qytetarët dhe asnjë medium në vendin tonë ndoshta nuk e ka theksuar këtë më shumë se ne.
Por nuk mund të jetë i mirëseardhur ndonjë vendim që para zgjedhjeve mund të sjellë ulje çmimi dhe ndonjë pikë politike, por atë ulje pas zgjedhjeve qytetarët ta paguajnë shumë fish, siç paralajmërojnë në rastin konkret kompanitë e sigurimeve.
Sepse në këtë mënyrë bëhet dëm i dyfishtë. Edhe tregohemi joserioz para Brukselit me mosrespektimin e rekomandimeve, por edhe shkaktojmë dëme që qytetarët mund t’i lënë më vonë pa shërbime, siç është shërbimi i sigurimit për autopërgjegjësi.
Pretendime të njëanshme dhe kualifikime joprofesionale
Kompanitë e sigurimeve veç tjerash, përveç zhgënjimit, paralajmërojnë edhe për pretendime të njëanshme dhe kualifikimet joprofesionale që u dërgoi rregullatori ASO, mbi bazën e të cilave Komisioni uli çmimin e autopërgjegjësisë. “Komisioni i Autopërgjegjësisë mori një vendim pa marrë parasysh analizat e industrisë së sigurimeve! Vendimi i Komisionit të ASO-së pranë Ministrisë së Financave për të rikthyer çmimet e AP-së përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin financiar të sektorit të sigurimeve, duke vendosur një kufizim rregullator në politikat e çmimeve në tërësi, në kundërshtim me rekomandimet e KE-së në raportin për progresin e vendit tonë, i cili mund të vërë në dyshim seriozisht kujdesin për të siguruarit”, theksohet në fillim të reagimit.
Dhe nëse Komisioni i Përgjegjësisë së Automjeteve pretendonte se donte të merrte një vendim objektiv dhe transparent bazuar në parametra specifikë, ai është bazuar vetëm në pretendimet e njëanshme dhe kualifikimet joprofesionale të ofruara nga rregullatori ASO, thuhet më tej në reagimin e kompanive të sigurimit.
“Rregullatori i industrisë së sigurimeve, ndër të tjera, duhet të kujdeset për stabilitetin e sektorit të sigurimeve dhe reputacionin e kompanive që ai rregullon. ASO, duke paraqitur analiza të pasakta dhe duke ofruar kualifikime për industrinë dhe mënyrën e funksionimit të saj, dëmton drejtpërdrejt reputacionin e të gjitha kompanive të sigurimit, dhe kompanive të tyre “nënë”, që janë kompani ndërkombëtare. Rregullatori duhet të punojë drejt forcimit të industrisë së sigurimeve duke mbështetur përpjekjet e tyre për të mbrojtur të siguruarit, duke krijuar një nivel solid të aftësisë pagesore dhe likuiditetit, i cili natyrisht vjen vetëm përmes operacioneve fitimprurëse. Përndryshe, krijohen kushte për destabilitet në sektorin financiar – diçka që askush nuk e dëshiron. ASO doli me analiza në drejtim të vërtetimit të pajustifikimit të vendimeve të marra për rritjen e pjesës për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të autopërgjegjësisë. Në bazë të këtyre analizave, Komisioni i Përgjegjësisë së Automjeteve vendosi të vendosë një shumë maksimale për pjesën e aktivitetit, duke i kthyer kështu çmimet në nivelin para rritjes. Analizat e industrisë së sigurimeve nuk janë marrë fare parasysh. Industria e sigurimeve nuk e pranon këtë analizë dhe e konsideron të gabuar dhe të njëanshme për të provuar një opinion të paracaktuar dhe për të ulur çmimin për AO”, vlerëssojnë kompanitë e sigurimeve.
Për të argumentuar shqetësimin e tyre, kompanitë e sigurimeve kanë shtjelluar pesë fakte në ët cilat, sipas tyre, bazohet pasaktësia e analizës së bërë nga autoriteti rregullator.
1. Analiza është bërë e kombinuar për autopërgjegjësinë, Kartonin e Gjelbër dhe sigurimin e kufirit dhe jo vetëm për autopërgjegjësinë – e cila është subjekt i ndryshimeve.
2. Analiza fokusohet në vërtetimin e qëndrueshmërisë/mjaftueshmërisë së premisë teknike dhe jo në pjesën për kryerjen e një veprimtarie – e cila është subjekt i ndryshimeve.
3. Analiza nuk merr parasysh dëmet e rezervuara dhe nuk bën një projeksion të ndikimit të inflacionit në to në vitet në vijim – gjë që është kyçe për një biznes me traditë të gjatë, pra shërbimin e dëmeve jomateriale në afat të gjatë.
4. Analiza nuk merr fare parasysh pjesën e kryerjes së aktivitetit dhe nuk mbështetet nga llogaritjet aktuariale dhe projeksionet e kostos.
5. Analiza përmban dispozita të përgjithshme interpretuese dhe pohime të bazuara në opinion dhe jo në fakte. RMV është një nga vendet e rralla ku shteti ka ende një funksion në përcaktimin e çmimit për AO të detyrueshme pavarësisht se është një ekonomi tregu. BE-ja çdo vit në Raportin e progresit të vendit përmend se kjo ndërhyrje shtetërore është në kundërshtim me rregulloren evropiane dhe se çmimi duhet të përcaktohet nga tregu i lirë, pra të bëhet liberalizimi i këtij tregu. Me vendimin e miratuar nga Komisioni i Autopërgjegjësisë, kufizohet pjesa e kryerjes së veprimtarisë, përkatësisht shpenzimet dhe vendoset kontroll 100% shtetëror mbi çmimet e autopërgjegjësisë.
Shpresojmë se kompetentët do të marin parasysh të gjitha aspektet e vendimit, që të mos ndodh ndonjë dëm afatgjatë, e mbi të gjitha të mos ndodhë që si vend të largohemi nga parimet e Bashkimit Evropian dhe rregullat e ekonomisë së tregut./Zhurnal




