Shkup, 2 mars – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, sot në përvjetorin e Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, bëri promovimin e veprimtarisë hulumtuese – shkencore dhe botuese të vitit 2021.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se në këtë ditë të shënuar të historisë sonë kombëtare, po e rrumbullakojmë punën tonë gjatë vitit kalendarik 2021, e cila isht e mbushur me plot aktivitete me interes shkencor, kulturor dhe shoqëror.
“Nuk është krejt e rastësishme se pse pikërisht ditën e sotme e zgjodhëm për këtë promovim. Para së gjithash, deshëm ta vendosim një paralele në mes të bëmave të Skënderbeut dhe Besëlidhjes së Lezhës me disa zhvillime aktuale që po ndodhin! Nëse Skënderbeu me heroizmin dhe rezistencën e tij bashkoi principatat shqiptare por edhe Evropën e përçarë dhe u bë mur i gjallë për ruajtjen e vlerave evropiane në këto hapësira, të njëjtën gjë po e bën aktualisht presidenti i Ukrainës Zelenski, i cili gjithashtu me qëndrimin e tij stoik në rezistencën antiruse, po e bashkon Perëndimin, i cili deri dje ishte jo unik për çështje vitale që kanë të bëjnë me sigurinë dhe vizionin e kontinentit tonë”.
Sipas Asanit, ITShKSh vazhdon t’i anticipojë vlerat Perëndimore që duhet të bëhen kod civilizues i shoqërisë sonë. Prandaj ne pikërisht sot shpalosëm disa të arritura tona që ishin vulë e përcaktimit tonë shkencor e cilivilizues, siç mund të shihet në disa tituj që botuam, si dhe në disa aktivitete e projekte, siç ishte Java kushtuar arbëreshëve të Italisë, ose Viti i Hasan Prishtinës, ngjarje këto që, përpos që freskojnë memrorien tonë kulturore, janë edhe pika orientuese mbi të ardhmen nga duhet të ecim si komb dhe si shoqëri.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, duke uruar Institutin për punën e madhe përkushtimore që ka bërë dhe po bën në drejtim të ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, siguroi për mbështetje të vazhdueshme institucionale. Sipas tij, MASH ka shtuar interesimin për punën e instituteve shkencore, të cilat meritojnë të përkrahen edhe më denjësisht në punën e tyre.
Fjalë përshëndetëse pati drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela si dhe aktivisti dhe hulumtuesi shkencor Mehmet Prishtina, stërnip i Hasan Prishtinës.
Sekretari shkencor i Institutit, Sefer Tahiri, paraqiti një referat të zgjeruar për të gjitha aktivitetet hulumtuese-shkencore dhe botuese të ITShKSh-së gjatë vitit 2021.